Krimi kontrollon Sarandën/ Atentatorët dyshohet se u larguan me skaf, zbardhet e kaluara e Rubatit

18 July 2026, 11:26 / AKTUALITET ALFA PRESS

Krimi duket se kontrollon plotësisht Sarandën.

Vitet e fundit, por sidomos sivjet, ngjarjet e rënda në qytetin bregdetar kanë tronditur opinionin publik.

Thimjo Rubati, i njohur edhe me emrin Sandri, u plagos rëndë në një atenta mafioz mbrëmjen e kaluar.

Raportohet se ai është transportuar në mbrëmje drejt spitalit të Janinës, pasi u plagos në biznesin e tij në Sarandë nga dy persona që lëviznin me motor e me skafandra.

Dyshohet se autorët kanë ardhur nga stadiumi në drejtim të portit kanë qëlluar drejt Thimjo Rubatit 9 herë me armë pistoletë 9 mm dhe më pas janë kthyer përsëri për t'u larguar nga edhe erdhën.

Ata janë larguar nga vendngjarja drejt zonës së plazheve në zonën e Baba Rexhepi dhe dyshohet se mund të jenë larguar më pas me skaf. Ende nuk është gjetur motori dhe dyshohet ta kenë marrë me vete.

Shënjestra e këtij sulmi, 50-vjeçari Thimjo Rubati, rezulton të jetë një personazh me një skedë të pasur kriminale dhe i njohur prej vitesh nga drejtësia, si ajo shqiptare ashtu edhe ajo greke.

Grupi hetimor ka zbardhur të kaluarën e 50-vjeçarit, i cili vetëm vitet e fundit kishte lënë qelinë e një burgu në shtetin fqinj, Greqi, ku vuante dënimin i akuzuar për një ngjarje mjaft të rëndë penale.

Gjatë kohës që Rubati ndodhej i izoluar në burgun grek, autoritetet shqiptare e kërkonin atë zyrtarisht për llogari të një dosjeje voluminoze korrupsioni dhe kontrabande. Ai ishte i përfshirë në një skemë të fuqishme të trafikimit dhe kontrabandimit të makinave, ku implikoheshin edhe zyrtarë doganorë.

Megjithatë, sapo la qelinë në Greqi dhe u përball me drejtësinë shqiptare, Rubati arriti t’i shpëtonte burgut në vendlindje. Gjykata e Apelit e dënoi atë me kusht, duke bërë që ai të mos kryente asnjë ditë burg në Shqipëri.

E kaluara e Thimjo Rubatit daton që prej fillimit të viteve 2000 me vepra të rënda penale kundër personit.

Në vitin 2002 ai është arrestuar nga policia i akuzuar për trafikim të të miturve, ndërsa në vitin 2012 është vënë sërish në pranga, i akuzuar për rrëmbimin e një vajze të mitur, vetëm 16 vjeçe.

Dinamika e atentatit të mbrëmjes së djeshme tregon se autorët kanë qenë të vendosur për ta eliminuar 50-vjeçarin. Nga ekspertiza paraprake në vendin e ngjarjes, policia ka bërë me dije se ndaj Rubatit është qëlluar me pistoletë të kalibrit 9 mm.

Ekspertët e krimeve kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 gëzhoja në vendin ku ndodhi sulmi. Ndërkohë, po verifikohen të gjitha pistat e mundshme, ku primare mbeten larjet e hesapeve për shkak të së kaluarës së tij të trazuar kriminale. /SYRI.net

Po ndodh...

ide