Ndryshimi i vërtetë në PD, duhet të presë edhe pak...

16 July 2026, 12:37 / IDE NGA ARDI STEFA
Ndryshimi i vërtetë në PD, duhet të presë edhe pak...

Nga Ardi Stefa 

Paraqitja e fytyrave të reja në politikë është gjithmonë lajm i mirë. Por rinia biologjike nuk është domosdoshmërisht rini politike. 

Këmbëngul se në politikë, nuk mjafton të "ripërtërihesh" me mosha të reja. Nuk mjafton të zëvendësosh flokët e thinjura me flokë të zinj, as të ndryshosh datëlindjet në listat e drejtuesve. Një parti nuk rilind, as rithemelohet e as ripërtërihet nga certifikatat e lindjes së anëtarëve të saj, por nga mënyra se si ata mendojnë, flasin dhe veprojnë.

Nuk ripërtërihet kur politikanët e rinj trashëgojnë veset, mentalitetin dhe mënyrën e të sjellurit të brezave të vjetër. 

Qarkullimi i elitave nuk ndodh pse ndryshojnë ca fytyra. Përkundrazi. 

Edhe dje në PD triumfoi stanjacioni.

Ndryshuan ca pak fytyra, ndërsa logjika mbeti e njëjtë. Dhe as partia e as shoqëria nuk fituan gjë nga riciklimi i të njëjtit model.

Vërtet u zgjodhën disa të rinj në moshë, por janë të rinj tepër, tepër të plakur. U shkojnë pas të vjetërve, përdorin mendjen e të vjetërve, përsërisin fjalët e tyre, flasin me të njëjtën gjuhë të drunjtë, mbrojnë të njëjtat tabu dhe zbatojnë të njëjtat metoda arrogante përçarëse e përjashtuese.

Kjo nuk kemi ripërtëritje. Thjesht, qartë dhe saktë është riciklim, rehati dhe komoditet në opozitë. Një kopje më e re e së vjetrës.

Prandaj entuziazmi për ndryshimet në kupolën drejtuese të Partisë Demokratike mbetet i kufizuar dhe vetëm në statuset falenderuese të "të emëruarve". 

Në thelb nuk ndryshoi pothuajse asgjë. Të njëjtët humbës politikë vazhdojnë të përcaktojnë drejtimin; të njëjtat fytyra dominojnë vendimmarrjen dhe i njëjti sektarizëm vazhdon të trajtojë mendimin ndryshe si kërcënim, jo si pasuri.

Një parti nuk bëhet moderne vetëm sepse ul mesataren e moshës së drejtuesve. Ajo bëhet moderne kur pranon meritokracinë, kur respekton mendimin kritik, kur hap dyert për debat dhe kur heq dorë nga kultura e besnikërisë së verbër ndaj individit dhe kultit të tij të ngritur për 36 vite. 

Ndryshimi nuk matet me uljen e moshës në një kryesi.

Ndryshimi vjen kur ndryshon kultura politike.

Ndryshimi vjen kur ndryshon gjuha, mendimi, sjellja politike.

Ndryshimi vjen kur të rinjtë e një partie kanë guximin të mendojnë ndryshe nga ata që i sollën deri aty. Kur janë të gatshëm të sfidojnë kulturën e humbjes dhe të ndërtojnë një kulturë përgjegjësie.

Nëse të rinjtë nuk kanë as dëshirën, as guximin, as vullnetin, atëherë partia nuk ka hyrë në një epokë të re. 

Ka hyrë vetëm në një sezon të ri të së njëjtës histori.

Deri atëherë..., ndryshimi në PD mund të presë edhe pak...

Po ndodh...

ide