Protesta, shenja e kohës së pamjaftueshme të Berishës për të ringjallur PD

13 July 2026, 10:53 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Protesta, shenja e kohës së pamjaftueshme të Berishës

Që nga fillimi i protestës Sali Berisha ka tentuar të blejë kohë politike. Së pari, bleu me një çmim të çmendur një vizë amerikane, ndërkohë që mbeti sërish "non grata" në faqen zyrtare të DASH. Së dyti, bëri gjithçka duke ja atashuar PD-në protestës edhe pse thirrjet kundër tij janë njësoj si për Ramën. Së treti, kërkoi që PD të bëhet një zë i kërkesave të protestës në Kuvend. Së katërti, bëri gjithçka për të qenë një megafon i fortë i protestës në Bruksel.

Për fat të keq, koha që ka blerë është vonë, shumë vonë për të bërë ndryshimin, dhe me një kosto të tmerrshme për të ardhmen e demokratëve. Kjo për faktin se, e gjithë koha që duket se është "blerë" më favor të protestës, rezulton më shumë të jetë veç një kohë mes tij dhe forumeve të PD-së, të cilët duket sikur kanë dalë krejt jashtë kohës aktuale politike kur bëjnë sikur nuk dëgjojnë se lideri i tyre është i padëshirueshëm për protestuesit, për të zemëruarit me qeverinë, duke thyer çdo urë që opozita të jetë sot administruesja e zemërimit të fortë popullor. E nëse PD nuk ka ura sot me qytetarët e zemëruar me qeverinë, për çfarë lufton ajo, për të qenë sërish partia më e madhe në opozitë? Po deputetët e ndryshëm të PD që shfaqen si mbështetës të protestës, a i lexojnë komentet poshtë qëndrimeve të tyre, ku shumica e komentuesve u kërkon të mbajnë qëndrim të qartë dhe ndaj Berishës e jo vetëm ndaj Ramës?

Por Berisha e ka blerë kohën politike, por ama jo përballë Ramës, por përballë PD. E nisi duke vënë në krye të Këshillit Kombëtar një folëse nga protesta, Julia Emirin. Zgjodhi në kryesi të partisë mbi 60 për qind të rinj e të reja, në moshën e zemrës së protestuesve, edhe pse shumica bij të ish drejtuesve të PD. E tashmë, është gati të bëjë edhe meremetimet e fundit në zgjedhjen e sekretariatit, duke besuar se kështu e pajton PD-në me të zemëruarit.

Duhet ta pranojmë se hendeku i pakapërcyeshëm i PD drejt protestuesve, drejt zemërimit popullor, është një fat i keq për demokracinë, pasi në mos e pengon, e vonon krijimin e një formacioni të besueshëm që të mundë Ramën edhe nëse ai fut duart sërish në zgjedhje. Gjithashtu, mungesa e një qartësie të demokratëve për t'u ndarë nga Berisha, me frikën se ai është i pazëvendësueshëm, ka zvogëluar çdo figurë në PD, sa sot më me këmbë në tokë ngjan Flmamur Noka, se sa Gazmend Bardhi, Tomor Alizoti, Belind Këlliçi apo Ina Zhupa. Sepse në këtë betejë, askush që duhet të fliste, nuk ka folur, veçse në kafe, duke i dhënë të drejtë Berishës ta mbajë sërish afër Nokën, pasi ai ka, të paktën, vetëm një mendim- Berisha.

E megjithatë, koha e blerë e Berishës vijon të kushtojë shumë shtrenjtë, jo vetëm për PD, por për Shqipërinë. Mjafton të shohësh ngazëllim e Taulant Ballës për praninë e "të fortëve" të Berishës në protestë, për të pranuar qartësisht se, koha që ka blerë Berisha i vlen vetëm atij, por jo PD-së, jo Shqipërisë.

Ata drejtues të PD, që presin me padurim që Berisha të rrëzohet dhe t'ua dhurojë atyre partinë, tregon që nuk kanë kuptuar as të shkuarën, as të tashmen e as të ardhmen e kësaj force politike, e cila tashmë rrezikon një divorc me shoqërinë shqiptare.

Aq më keq për ata që nuk lexojnë sondazhet, që nxjerrin se mbi 40 për qind e shqiptarëve do donin forca politike të ndryshme nga ato që janë sot. Dhe ky hendek mund të rrezikojë edhe më shumë PD-në, e cila pastaj do të varet në betejën politike edhe më shumë nga Rama, siç bëri më rastin e zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i Popullit, me qëllim që "Shqipëria Bëhet" të mos kishte hapësirë për të marrë elektorat. Por, çdo ndihmë që bën Rama për PD, është gjer te të qenurit opozita më e madhe. Dhe fatkeqësisht, kjo po ndodh.../Alfapress.al

Po ndodh...

ide