Pila e Voltës, gjeneratori i parë i rrymës elektrike

21 Mars 2022, 10:46 / AKTUALITET ALFA PRESS

Pila e Voltës, gjeneratori i parë i rrymës elektrike

Si sot, 222 vjet më parë, në 21 marsin e vitit 1800, Alessandro Volta, një fizikan i njohur italian, ndërtoi “Pilën” elektrike, paisjen përmes të cilës u prodhua për herë të parë rryma elektrike, ajo që sot është në themelin e qytetërimit tone, për nga dobia e përdorimeve të saj praktike të jashtëzakonshme.

Për afro 2000 vjet nga koha kur Thalesi nga Mileti kish vërejtur vetinë e qelibarit të fërkuar me lesh për të tërhequr sende të lehta dhe deri në mesin e shek.18-të kjo veti mbeti në hije. Zbulimi i ligjit të bashkëveprimit të ngarkesave elektrike nga francezi Kulon (1785), ndërtimi i makinës që prodhonte ngarkesa elekrtike me potencial të lartë (1746) apo edhe shpikja e rrufe-pritësit nga amerikani Franklin (1752) - të gjitha këto rezultate kishin të bënin me elektricitetin statik, me përdorime shumë të pakta praktike. Prandaj gjetja e një mënyre që do t’i çelte elektricitetit dinamik (rrymës elektrike) dyert e së ardhmes po priste njeriun e duhur.

Historia e zbulimit te Pilës elektrike është interesante edhe në një drejtim tjetër. Janë të shumta rastet në historinë e shkencës kur dy kërkues, që punonin të pavarur nga njëri-tjetri, interpretonin në mënyra të ndryshme rezultatet e kërkimeve të tyre. Një rast i tillë ka qenë edhe debati i famshëm mes Luigi Galvanit dhe Alessandro Voltes në lidhje me rymën elektrike.

- Luigi Galvani (1737-1798), profesor i universitetit të Bolonjës, kur po kryente një eksperiment me këmbën e një bretkoce të ngordhur, vuri re se kur ajo ngacmohej nga një shkarkesë elektrike, këmba e saj tendosej. Por habia e tij ishte kur vërejti të njejtën gjë edhe kur këmba e bretkosës kapej me një fije tel bakri dhe lidhej pas parmakut prej hekuri të ballkonit të tij. Kush e shkaktonte këtë tendosje? Galvani mendonte se ngarkesa elektrike ishte e grumbulluar në muskul dhe kontakti me hekurin dhe bakrin shërbente vetëm si shkarkuese e saj.

- Alessandro Volta (1745-1827), edhe ai një profesor i njohur i universitetit të Padovas, e kuptoi me gjenialitet se aty ku takohej hekuri me bakrin (nyja e dy përciellsave të ndryshem), aty lindte një forcë elektromotore (burimi i rrymës). Kështu ai ndërtoi pilën e parë elektrike që shihni në figurë, përmiresimi i mëtejshëm i të cilës ishte vetëm çështje kohe.

Që nga ajo kohë kanë kaluar 222 vjet dhe Pila e Voltës tashmë i takon muzeut të historisë të shkencës, por shndrimet që erdhën pas saj janë të pa imagjinushme. Elekticiteti e ka veshur planetin tonë me një cipë te ngjashme me atë të ajrit dhe ujit, një treshe pa të cilët nuk mund të përfytyrohet jeta në Tokë./ Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress

 

 

Po ndodh...

ide