Tortura e qytetarëve të Tiranës me autobusët urbanë, udhëtojnë në sauna!

10 Gusht 2022, 10:25 / AKTUALITET ALFA PRESS

Tortura e qytetarëve të Tiranës me autobusët urbanë,

Qytetarët që përdorin mjetet e transportit publik urban në Tiranë kanë ankesa të shumta për mungesën e ajrit të kondicionuar në shumicën e linjave. Autobusët i kanë kondicionerët, por pavarësisht vapës nuk i ndezin pasi shoqatat e Transportit shprehen se nuk përballojnë dot çmimin në rritje të karburantit.

Ndërsa termometri në hije arrin deri në 40 gradë, thuajse asnjë nga linjat urbane në kryeqytet nuk ndez kondicionerët.

Një pjesë e tyre nuk punojnë dhe një pjesë tjetër nuk i ndez se nuk duan të harxhojnë karburant.

Një nga linjat më problematike në këtë drejtim është ajo e Kristalit, unazës, qendrës dhe Kinostudios.Një qytetari që të udhëtojë nga Qendra deri në Selitë do ti duhet të paktën 60 minuta ta përshkruajë këtë segment në mes të vapës edhe pse distanca është vetëm 3 kilometra.

Së pari qytetarit i duhet të presë më shumë se 30 minuta në stacion, pasi autobusët e këtyre linjave janë shumë të ralllë dhe udhëtojnë me intervale kohe afërsiht 1 në çdo gjysmë ore.

Kjo bën që në stacione të grumbullohen shumë qytetarë dhe autobusët të mbushen si kuti sardele.

Por sikur të mos mjaftonte vetëm ngjeshja e pasagjerëve, autobusët nuk përdorin kondicionerin, ndërsa qytetarët duhet të përballen me vapën dhe erën e pakëndshme që lëshohet në këto raste prej djersës.

Drejtuesit e autobusëve hapin vetëm dritaren e tyre, dhe atë e hapin në të kundërt, pasi shumica e tyre i kanë dritaret të fiksuara dhe që nuk mund të hapen, përveç pjesës së sipërme.

Bashkia e Tiranës edhe pse është sinjalizuar shpesh herë për gjendjen e transportit urban në kryeqytet, vazhdon të flejë gjumë, ndërsa mjaftohet vetëm me propagandën se kanë sjellë në qytet autobusën green line.

Ndërkohë, me datën 21 korrik 2021, kryebashkiaku Veliaj inaguroi flotën e parë të autobusëve green line ku premtoi se transporti do jetë më komod, por deri më tani këto kanë mbetur fjalë./Alfapress

 

Po ndodh...