Mundësi investimi, javën e ardhshme rihapet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare
Javën e ardhshme, Ministria e Financave do të kryejë një rihapje të ankandit të obligacioneve 15-vjeçare që u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo është një mundësi e mirë investimi për individët apo subjektet që kërkojnë të kryejnë investime financiare afatgjata në kërkim të kthimeve më të larta. Ankandi i obligacioneve 15-vjeçare u organizua për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar dhe kishte synim testimin e tregut për tituj borxhi me afate më të gjata maturimi.
Testimi i tregut për këto instrumente rezultoi i suksesshëm dhe nga 1 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë mbi katër herë më të lartë, rreth 4.3 miliardë lekë.
Në total, në ankand u paraqitën 48 kërkesa konkurruese, nga të cilat u pranuan vetëm nëntë. Kuponi i obligacionit rezultoi 5.88%, nivel më i ulët se kuponi indikativ prej 6.2% që ishte paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave. Yield-et e ofruara nga pjesëmarrësit në ankand ishin në intervalin mes 5.2% dhe 7%.
Pjesëmarrja e lartë dhe normat e favorshme të interesit bënë që Ministria e Financave ta rriste vlerën e obligacioneve të shitura edhe me 150 milionë lekë të tjera, për një huamarrje totale prej 1.15 miliardë lekësh. Në rihapjen që do të zhvillohet javën e ardhshme Ministria e Financave e ka dyfishuar shumën e shpallur për financim në raport me ankandin fillestar, në vlerën e dy miliardë lekëve.
Tregu financiar është gjithnjë e më shumë i përfshirë nga pritshmëritë për një rritje të afërt të normave referuese të interesit nga Banka e Shqipërisë. Deri tani, një pritshmëri e tillë nuk është reflektuar shumë në yield-et e bonove dhe obligacioneve, që kanë qëndruar në nivele të ulëta edhe në ankandet e para të këtij viti. Megjithatë, për shkak të afatit të gjatë të maturimit, në rihapjen e ankandit të bonove 15 vjeçare mund të jetë e pritshme një rritje e yield-eve të kërkuara nga investitorët.
Investitorët e interesuar mund të marrin pjesë në ankandet e tregut primar të obligacioneve nëpërmjet ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Aktualisht në Shqipëri ka 13 shoqëri komisionere për investimin në tituj. Dhjetë prej tyre janë banka tregtare, që kryejnë edhe pjesën dërrmuese e volumit të transaksioneve të individëve. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankandet e obligacioneve është 500 mijë lekë. Pjesëmarrja mund të bëhet me kërkesa konkurruese ose jokonkurruese, duke pranuar yield-in mesatar të ofertave konkurruese.
Obligacionet 15 vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Emetimi i tyre është pjesë e strategjisë së zgjatjes graduale të maturitetit mesatar të borxhit publik, me qëllim shfrytëzimin sa më shumë të periudhës me norma të ulëta interesi, por edhe për të ulur rreziqet e lidhura me rifinancimin.
Në fund të tremujorit të tretë 2021, borxhi afatgjatë, me maturim mbi një vit, përbënte mbi 67% të stokut të borxhit të brendshëm, nga më pak se 49% që zinte në fund të vitit 2013. /Monitor
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
