A ka pasur komunikim me Nanon dhe Berishën? Romano Prodi në Tiranë: Takova zyrtarë të tjerë

14 Dhjetor 2022, 20:52 / POLITIKË ALFA PRESS

A ka pasur komunikim me Nanon dhe Berishën? Romano Prodi në

Ish-presidenti i Komisionit Europian dhe ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi deklaroi nga Tirana se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe procesi nuk duhet të vijojë të zvarritet.

Në një intervistë për Euronews Albania, Prodi u shpreh se kur ai kishte drejtimin e Komisionit Europian, unioni u zgjerua me 10 shtete njëkohësisht.

“Nëse doni të dini mendimin tim, jam shumë i inatosur. Sepse vendime të tilla historike duhet të merren shpejt dhe të jepet mesazhi që ka miqësi mes dy palëve dhe më pas të shkohet përpara.

Kur unë isha në drejtimin e KE ne e zgjeruam BE me 10 vende njëherësh. Kishte nga ata që nuk ishim me të njëjtin progres, por historian a thoshte që nëse nuk vepronim në atë moment Europa do të shkonte më keq”, theksoi ai.

Se kur do të përfundojë procesi i integrimit, Prodi tha se:”Këtë nuk di ta them, por duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kur u zgjat hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u mërzita shumë.”

Sipas tij, integrimi ka të bëjë vetë me Bashkimin Evropian dhe jo për t’i dhënë një mesazh presidentit rus, Vladimir Putin.

“Problemi nuk është një çështje e sigurisë apo NATO, por po flasim për Bashkimin Evropian. Kjo është pikëpamja ime dhe këtu nuk ka të bëj as Putin e askush tjetër, pasi unë e konsideroj Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si pjesë të Bashkimit Evropian dhe pikë”, deklaroi Prodi.

Prodi ndërkohë deklaroi se nuk ka pasur komunikim me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe kreun aktual të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilët i konsideron miq të vjetër.

Prodi bëri të ditur se nuk ka zhvilluar takime me ta, duke theksuar se si Nano dhe Berisha janë larguar nga postet qeveritare që kanë mbajtur, megjithëse ky i fundit është ende aktiv në politikën shqiptare.

Ndër të tjera, Prodi nënvizoi se ka takuar ata politikanë që përfaqësojnë dhe drejtojnë institucionet shtetërore.

 “Jo nuk i kam takuar, pasi ata tashmë janë larguar, siç edhe jam larguar edhe unë në fakt. Berisha në fakt është ende aktiv, por unë kam takuar ata politikanë që përfaqësojnë dhe drejtojnë institucionet shtetërore.

Unë kur kam qenë kryeministër i Italisë kam dashur që të bie dakord dhe të kemi komunikime me të dy, si Nanon dhe Berishën, sepse raportin e kemi me popullin shqiptar.

Edhe kur ka pasur tensione, asnjë herë nuk kam dashur që politikane italianë të vinin dhe të bënin fushatë në Shqipëri, sepse Shqipëria është një vend më vete”, theksoi ai.

 

Po ndodh...

ide