Berisha, kolaterali politik më i madh i Edi Ramës – Lapardhaja: Voton Berishën në Tiranë e Elbasan, të futet Meta në Parlament

6 Prill 2025, 14:48 / POLITIKË ALFA PRESS

Berisha, kolaterali politik më i madh i Edi Ramës – Lapardhaja:
Gazetari Namir Lapardhaja ka reaguar ndaj takimit të fundit të Berishës në Elbasan, duke u shprehur se ai është “kolaterali më i madh politik i Edi Ramës”. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ai ka komentuar situatën e krijuar në disa qarqe elektorale, duke veçuar Tiranën dhe Elbasanin si shembuj tipikë të asaj që ai e cilëson si “tradhëti politike ndaj të djathtës shqiptare”.

Sipas Lapardhasë, vota për Berishën në këto qarqe nuk sjell përfaqësim të demokratëve në Parlament, por përfundon me ulëse për Ilir Metën dhe ish-funksionarët e LSI-së. Ai nënvizon se një pjesë e demokratëve “e kanë ngrënë turpin me bukë”, duke pranuar aleanca dhe figura që nuk përfaqësojnë aspak idealet e së djathtës.

“Ka një turp më të madh për një që e quan veten të djathtë, se të japë kontribut për t’i futur në Parlament njerëzit e djeshëm të LSI-së? Përballë korrupsionit të Edi Ramës ata mund të duken amatorë, por për Partinë Demokratike janë një eksperiencë e hidhur nga e kaluara”, shkruan ndër të tjera Lapardhaja.

Ai vëren se, pavarësisht retorikës kundër qeverisë, përfituesi i vetëm i situatës është vetë kryeministri Rama, i cili, sipas tij, ka bërë gjithçka për ta mbajtur Berishën “në lojë”. “Nga lejet për kulla në mes të Tiranës, te vula dhe logoja e PD-së – të gjitha i ka bërë për këtë ditë”, thekson analisti.

Lapardhaja kritikon edhe përbërjen e listave të kandidatëve, duke pohuar se PD-ja nën drejtimin e Berishës nuk ka qenë kurrë shtëpia e demokratëve të vërtetë, por “shtëpia e tarafit dhe sektit të ngushtë të tij”.

Për më tepër, ai ironizon premtimet për fitore me referenca sarkastike për zgjedhjet e vitit 2025: “Shëndeti Doktorit, se fitorja vjen. Po s’erdhi në 11 maj 2025, me siguri do vijë në 2029”.

Reagimi i Lapardhasë vjen në një kohë kur në dy ditët e fundit Berisha ka sulmuar ashpër Lulzim Bashën dhe mbështetësit të tij, duke i bërë thirrje një pjese të tyre që t'i bashkëngjiten atij si e vetmja rrugë e mbetur.

 

Po ndodh...