Deklaratat e Ramës zemërojnë mediat angleze, Daily Express: Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma

22 Tetor 2025, 18:06 / POLITIKË ALFA PRESS

Deklaratat e Ramës zemërojnë mediat angleze, Daily Express:

Një ditë pas deklaratave thumbuese të kryeministrit Edi Rama për politikën e Mbretërisë së Bashkuar ndaj emigrantëve dhe ironisë së tij për ish-sekretaren britanike Suella Braverman dhe ndaj politikanit britanik Nigel Farage, mediat angleze kanë publikuar artikuj ku i përgjigjen Ramës.
“Daily Express” nënvizon se Rama kritikoi Brexit duke pretenduar se bashkëpunimi më i ngushtë përmirëson përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm ndërsa nuk kanë munguar shigjetimet edhe për Nigel Farage.

“Në fund të fundit, besoj se Farage nuk është problemi, Farage është një pasqyrë e problemeve që ka njëfarë kapaciteti teatral për të qenë tërheqës, por problemet janë diku tjetër”, citohet kryeministri Rama.

Por “Daily Express” citon një burim nga Ministria e Brendshme Britanike, i cili ishte në detyrë kur “dhjetëra mijëra” shqiptarë kalonin kanalin me gomone. “Edi Rama nuk ka idenë se për çfarë po flet.

Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”, tha burimi për median britanike.

Ndërsa tabloidi “The Mirror” citon kryeministrin Rama kur tha se ishte ende i zemëruar me ish-Sekretaren e Brendshme Suella Braverman. “Meqë ra fjala, ku është ajo? Thjesht mbaje mend, e di, mos u merr me shqiptarët sepse nëse shqiptarët të mallkojnë, thjesht zhdukesh”, citon “Mirror” deklaratat e Ramës.

Sipas “The Mirror”, Rama u bëri thirrje politikanëve britanikë të “mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveçse për arsye shumë të mira”.

 

Po ndodh...

ide