E quajtën “socialiste” në emisionin televiziv, Brisida Shehaj: PD të ndryshojë mentalitetin! Shpallja “armik” e kritikëve, mendësi e konsumuar

23 Mars 2026, 17:16 / POLITIKË ALFA PRESS

E quajtën “socialiste” në emisionin televiziv, Brisida

Ish-nënkryetarja e LSI-së, Brisida Shehaj, ka komentuar protestën e opozitës që u mbajt ditën e djeshme përpara Kryeministrisë. Teksa ka zbuluar se ka qenë e ftuar në Syri TV, Shehaj shkruan se i janë drejtuar me fjalët: “PD nuk duhet të dëgjojë mendjen e një socialisteje”.

Sipas saj, ky është një mentalitet që Partia Demokratike duhet ta ndryshojë, pasi shpallja armik kur e kritikon është një mendësi e konsumuar.

Në postimin e saj në Facebook, Shehaj thekson se opozita në protesta nuk duhet të mbledhë vetëm militantët, por edhe të pakënaqurit nga qeveria. Ndërsa më tej nënvizon se në protesta duhet të ketë më shumë njerëz.

Në protesta duhet të ketë gjithnjë e më shumë njerëz, jo vetëm militantë e mbështetës të opozitës, por edhe të lodhur e të zhgënjyer nga pushteti, intelektualë e njerëz të thjeshtë që nuk ishin votues të PD-së në zgjedhjet e kaluara, por tashmë shohin tek ajo shpresën për të dalë nga agonia e një pushteti të çmendur”, shkruan ajo.

Sot në mëngjes isha e ftuar për nje “Kafe Shqeto” nga Flavio.

E pranoj çdo herë me kënaqësi ftesën e tij, pasi për mua SYRI TV mbetet e vetmja hapësirë mediatike ku mund të shprehesh lirisht dhe të konsumohen të vërtetat pa censurë e leje nga “lart”.

Tema për të cilën ishim të ftuar sot qe protesta e opozitës dhe aksioni opozitar. Që për mua duhet te jenë mjete shprese dhe të zgjerohen gjithnjë e më shumë.

Në krye dua të saktësoj se nuk hyj tek njerëzit, që kanë pasion të kritikojnë opozitën. Ky lloj sporti është shndërruar në industri dhe mjaftojnë mercenarët “e pavarur” për ta kryer me përkushtim të marrë.

Por për situatën ku ndodhemi heshtja nuk është më neutralitet, por bashkëfajësi. Për mua, që nuk kam heshtur kurrë, duke marrë përsipër kosto të çdo lloji është e pashmangshme, që sidomos sot të them timen. Si çdo shqiptar që nuk firmosi kurrë kontratën e nënshtrimit me këtë pushtet.

Për të qendruar tek thelbi, unë mendoj se sot opoztita ka nevojë urgjente t’u përgjigjet nevojave të vendit në një lidhje jetike me realitetin.

Dhe realiteti është brutal në thjeshtësinë e vet: votat e opozitës sot nuk janë të mjaftueshme për të ardhur në pushtet.

Personalisht jam shumë e qartë se një forcë politike rrëzohet nga pushteti me votë, ndaj kurrë nuk mund të bëj thirrje për dhunë në protesta. Siç u interpretua në program me një lehtësi të paperceptueshme për seriozitetin e situatës dhe opinionit tim.

Çdo forcë politike vjen në pushtet nga vota dhe çdo parti politike duhet të bëjë saktësisht këto kalkulime.

Pse vota është gërryer?

Kjo ndodh për njëmijë e një arsye, opozitarizëm I gjatë, shpopullim, shitblerje e votës, krim i organizuar. E megjithatë, sado t’i mbledhësh bashkë, ky vend konsumon kaq shumë skandale dhe prodhon kaq shumë varfëri e padrejtësi sa revolta duhej të përkthehej në mbështetje masive dhe me bazë të gjerë.

Kjo është pyetja që opozita nuk duhet të ketë frikë t’ia bëjë vetes. Pavarësisht se përgjigjja mund mos të jetë e rehatshme: A i mjaftojnë votat opozitës për të ardhur në pushtet?

Le të rikthehemi te protesta, e cila patjetër është një mjet për të sensibilizuar qytetarët, por dhe partnerët ndërkombëtarë për atë çfarë po ndodh në vend.

Si parim protestat duhet të vijnë në rritje nëse forma dhe mënyra e zgjedhur nga organizuesit është e efektshme. Këtë vura në dukje në emisionin e sotëm. Protesta nuk është ritual, as detyrim moral për qytetarët.

Por është marrëdhënie, që ndërtohet me besim, jo vetëm me thirrje në të njëjtën formë e përmbajtje. Sepse kjo lodh, shteron shpresën se nga ajo protestë diçka do të ndryshojë.

Në protesta duhet të ketë gjithnjë e më shumë njerëz, jo vetëm militantë e mbështetës të opozitës, por edhe të lodhur e zhgënjyer nga pushteti, intelektualë e njerëz të thjeshtë që nuk ishin votues të PD-së në zgjedhje të kaluara, por tashmë shohin tek ajo shpresën për të dalë nga agonia e një pushteti të çmendur.

A kane qenë mbrëmë aty? A ishin më shumë se herën e kaluar? Nuk rezulton. Nuk është justifikim as moti e as festat, prandaj tjetërkund duhet të kërkohet problemi. Ata mungojně jo sepse nuk shohin e ndjejnë problemet, por sepse nuk shohin veten në zgjidhje.

Partia Demokratike duhet me patjetër të bëjë një analizë reale të arsyeve por mbi të gjitha duhet të ulet e të dëgjojë njerëzit, sidomos popullin e varfër gjer në palcë, a e beson apo jo? Përse nuk i motivojnë këto skandale të qeverisë Rama për t’ju bashkuar opozitës në protesta? Përse komunikimi i ndjekur nga PD nuk është i mjaftueshëm apo bindës? Përse qytetaret e Tiranës nuk dalin në protestë?

A ndjehen të përfaqësuar nga kjo opozitë?

Opozitarizmi, si frymë nuk është pronë e një partie, por gjendje shoqërore që në Shqipëri tashmë ekziston. Por është ende e shpërndarë, e lodhur, e papërfaqësuar.

Në program sot sugjerova edhe sondazhe me këto pyetje, që vetë PD për qellime të vetreflektimit mund te organizojë.

Nëse përgjigjia që merret për këto pyetje është se “PD nuk duhet të dëgjojë mendjen e një Socialisteje” (citim nga programi), atëherë le të vijojë siç e ka zënë dhe shqiptari do ta kuptojë se vota i është vjedhur, por sërish nuk do të dijë kujt t’ja japë. Ama në të kundërtën do të dalë e qartë se përse jemi në këtë situatë.

Unë nuk e kam për fyerje të më quajnë socialiste. Por nuk e kam as luksin e as arsyen të konsiderohem thjesht një etiketë.

Unë kam vetëm një bindje politike: Shqipërinë.

Dhe për Shqipërinë, opozita duhet të bëjë diçka më të vështirë se protesta,

të ndërtojë besim. Zyrtarët e PD-së duhet më së pari të ndryshojnë mentalitetin, se shpallja armik kur I kritikon është mendësi e konsumuar, pasi mjafton e tepron Edi Rama për këtë.

Për ta përmbyllur, mendoj se partitë opozitare duhet të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të bashkojnë rreth vetës jo vetëm militanët e tyre, por të gjithë shqiptarët që nuk bëhen palë me krimin dhe duan te rrisin fëmijët në këtë vend.

Opozita nuk mund të ndërtojë shumicë duke reduktuar pakicën e vet. Nuk mund të zgjerohet duke përjashtuar. Nëse nuk hapet, do të tkurret. Jo nga presioni i pushtetit, por nga kufijtë që i vendos vetes.

E për të arritur këtu duhet në mënyrë urgjente të ndryshojë qasjen me votuesin, duhet të riorganizohet në atë mënyrë që të përfaqësojë të gjitha shtresat shoqërore, duhet të pranojë mendimin ndryshe, duke e brendësuar si pjesë të përditshmërisë së saj.

Uroj që ky mendim imi i lirë nga çdo varësi e etiketë të lexohet siç duhet dhe për atë që dëshiroj me zemër, si një njeri që ka marrë vendimin mos të emigrojë. Por të bëjë të vetën për Shqipërinë e fëmijëve tanë.

P.S Sapo mbylla lidhjen me studion, hapa lajmet. I pari që mu shfaq: largimi nga puna i Ilir Babaramos sepse kritikonte qeverinë.

Ironia është bërë kaq e zakonshme, sa nuk të revolton më.

Vetëm të konfirmon se ne këtë vend, pushteti nuk toleron më as hijen e opozitarizmit.

Po ndodh...