Emri/ PS mbledh Kryesinë për zgjedhjet në Himarë, ja kush pritet të jetë kandidati

8 Korrik 2024, 09:02 / POLITIKË ALFA PRESS

Emri/ PS mbledh Kryesinë për zgjedhjet në Himarë, ja kush

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në selinë rozë kryesinë e Partisë Socialiste.

Fokusi i mbledhjes mësohet se do të jetë miratimi i kandidaturës së kësaj force politike në zgjedhjet për bashkinë e Himarës më 4 gusht.

Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë nuk do të jenë të pazakonta vetëm për zhvillimin e tyre në mes të të nxehtit dhe në kulmin e sezonit turistik.

Ato do të jenë gjithashtu edhe zgjedhjet për të cilat partitë politike do të kenë më pak afat se herët e tjera për të zhvilluar fushatë elektorale.

Socialistët e kanë të qartë skenarin e vajtjes në zgjedhje të vetëm, dhe me një kandidat, që deri më tani, rrotullohet rreth Prefektit Vangjel Tavo, edhe pse burimet nuk përjashtojnë ndonjë emër tjetër surprizë në momentet e fundit.

Ekuacioni është më i vështirë mes opozitarëve, ku Berishës i takon të vendosë nëse do të përfshihet më në betejën për këtë qytet, apo do t’ja lërë atë PBDNJ-së ta përballojë e vetme. Skenarët paraprakë e shohin të vështirë kandidimin e djalit të Fredi Belerit nën siglën e PD-së,  dhe më të mundshëm që Vangjel Dule të dalë veçmas me këtë emër.

Pas regjistrimit të kandidatëve, në Himarë do të fillojë zyrtarisht fushata elektorale, e cila do të mbyllet në 2 gusht, dhe do të jetë më e shkurtra ndonjëherë.

Në Himarë do të votohet dhe numërohet në formën tradicionale, përmes letrës, dhe identifikimi i votuesve do të jetë me aparatura elektronike. Në zgjedhjet e fundit, në këtë bashki morën pjesë në zgjedhje rreth 7800 votues.