Enver Hoxha i ftuar te Grida Duma: Nuk kam qenë diktator!

15 Maj 2026, 00:24 / POLITIKË ALFA PRESS
Enver Hoxha i ftuar te Grida Duma: Nuk kam qenë diktator!

Në një kthesë tronditëse të ngjarjeve që ka lënë pa fjalë si historianët, ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha u shfaq mbrëmjen e sotme në studion e Grida Dumës për një intervistë ekskluzive "ballë për ballë".

I veshur me një kostum gri të prerë me precizion dhe me flokët e krehur mbrapsht që sfidonin ligjet e fizikës dhe të vdekshmërisë, Hoxha u ul përballë Dumës, e cila e nisi bisedën me një hyrje 12-minutëshe plot metafora ekzistenciale mbi "pashmangshmërinë e rikthimit të dritës në errësirën e memories kolektive".

"Shoku Enver," nisi Grida me atë shikimin e saj depërtues, "shumë njerëz ju quajnë diktator. Si ndiheni për këtë etiketim në kontekstin e një Shqipërie që sot bën 'check-in' në Dubai?"

Hoxha, pasi piu një gllënjkë ujë, të cilin stafi u sigurua që të ishte i kontrolluar nga Sigurimi, buzëqeshi me një mirësi rrëqethëse.

"Grida, të falënderoj për pyetjen, por fjala 'diktator' është thjesht një konstrukt gjuhësor i imperializmit amerikan," tha Hoxha. "Unë nuk kam qenë diktator. Unë isha thjesht një menaxher projekti me një vizion shumë specifik. Le të themi se kisha një stil menaxhimi paksa... autoritar. Kur ekipi nuk i arrinte objektivat, kishte pasoja. A nuk ndodh kështu edhe në korporatat e sotme?"

Duma e ndërpreu duke cituar një varg të paqenë të Niçes, por Hoxha vazhdoi:

"Burgjet? Jo, jo. Ato ishin 'hapësira bashkëpunimi të detyruar'. Izolimi i Shqipërisë? Ishte thjesht një 'social media detox' i hershëm në shkallë kombëtare. Ne ishim 'eco-friendly' përpara se të bëhej modë; nuk kishim makina, hanim vetëm bio dhe ndërtuam 700 mijë bunkerë si formë e 'tiny house movement' për raste emergjence."

Gjatë intervistës, Hoxha u ankua edhe për çmimet e apartamenteve në Tiranë, duke vënë në dukje se në kohën e tij "çdo njeri kishte një shtëpi, edhe pse ndoshta duhej ta ndante tualetin me dy familje të tjera dhe të raportonte te lagjja se çfarë po gatuante".

Kur u pyet për ekzekutimet e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Hoxha thjesht ngriti supet: "Ishte një periudhë me 'turnover' të lartë stafi. Nuk mund të bësh omletë pa thyer disa vezë... ose pa pushkatuar gjithë Byronë Politike"./Marrë nga blogu "Ministria e Drejtësisë"

Po ndodh...