Letra/ Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, Fredi Beleri kërkesë për pezullimin e dekretit të Presidentit Begaj

8 Korrik 2024, 15:21 / POLITIKË ALFA PRESS

Letra/ Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, Fredi Beleri kërkesë

Fredi Beleri, i cili prej 5 korrikut është pa mandatin e kryetarit të zgjedhur në bashkinë e Himarës, i kërkon Gjykatës Administrative të Tiranës të pezullojë dekretin e presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në këtë bashki. 

Kërkesa që i është dërguar gjykatës, një kopje e të cilës është shpërndarë në media, ka për objekt "Marrjen e masës së sigurimit të padisë. Pezullimi i zbatimit të Dekretit nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Më 5 korrik, Presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë, menjëherë pasi KQZ vendosi heqjen e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO për korrupsion zgjedhor.

Në kërkesën e tij Beleri argumenton se do të ankimojë vendimin dhe deri atëherë kërkon pezullimin e zbatimit të aktit administrativ. 

Ky Akt administrativ individual, do të kundërshtohet nga kërkuesi me Padi drejtuar Gjykatës kompetente, pasi vjen në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, si dhe Kodin e Procedurave Administrative.

Para ngritjes së padisë, kërkuesi i drejtohet Gjykatës me kërkesë për sigurimin e padisë, pezullimin e zbatimit të aktit administrative, Dekret i Presidentit të Republikës nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar"
Kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri aktualisht është Kryetar i Zgjedhur i Bashkisë Himarë, cilësi që sipas ligjit do ta mbajë deri në kalimin e afatit 30 ditor të paraqitjes së ankimit kunder vendimit nr. 69 datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ose deri në shpalljen e vendimit që do të shqyrtojë ankimin e tij, kundër vendimit nr. 69 datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në përputhje me nenin 164/2 të ligjit nr. nr. 44/2015 Kodi I Procedurave Administrative.

Kjo pasi shtetasi Dhionisios Alfred Beleri mban Mandatin e vlefshëm të Kryetarit të Zgjedhur të Bashkisë Himarë, mandat i fituar në zgjedhjet e datës 14 maj 2023, dhe që aktualisht është i vlefshëm, sa kohë që vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, nr. 69 datë 05.07.2024 me të cilin në të njëjtë kohë, ky organ administrativ shpalli të pavlefshëm Mandatin por shpalli dhe ndërprerjen e parakohshme të tij, është shpallur në datën 05.07.2024, dhe ndaj tij lejohet 5 ankim, dhe si I tillë ky akt është i paekzekutueshëm në kuptim të neneve 133/1 dhe 164/2 të ligjit nr. 44/2015 Kodi I Procedurave Administrative

Letra/ Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, Fredi Beleri kërkesë