Lufta me të përjashtuarit, Berisha i prerë: T’i drejtohen gjykatës së partisë, dhanë veten me qira

3 Prill 2026, 15:57 / POLITIKË ALFA PRESS
Lufta me të përjashtuarit, Berisha i prerë: T’i drejtohen

Dy ditë pasi i përjashtuari Dritan Burgija së bashku me demokratë të tjerë nga Durrësi i kërkuan llogari nga oborri i selisë blu, Sali Berisha ka thyer heshtjen. Gjatë një konference për mediat, i pyetur mbi pretendimet e ngritura nga të përjashtuarit lideri demokrat vijon t’u qëndrojë akuzave se dy këshilltarët e PD në Durrës kanë bashkëpunuar me mazhorancës socialiste.

“Ai ka qenë nënkryetar, në fushatë elektorale ka punuar për kundërshtarët, për të mos thënë edhe ca gjëra të tjera”.

Berisha të gjithë të përjashtuarve u tregon derën e gjykatës së partisë, por përsërit premtimin se në PD do të ketë një analizë për të treguar edhe publikisht fajtorët e humbjes në 11 Maj.

“Ai dhe çdo njeri tjetër, ka një gjykatë kjo parti, duhet të paraqesë ankesat. Nuk është Sali Berisha gjykatësi i partisë. Po, Sali Berisha ka premtuar me kohë që do bëhen analiza”.

Pavarësisht se premton analizë, qartësisht nuk gjen përgjegjësi te lidershipi i vet, ndaj nuk pret vendimin e gjykatës së partisë kur flet për të përjashtuarit.

“Ata persona që jepen me qira, që japin veten me qira, kanë bërë një zgjedhje ata. Partia është një institucion që ka të gjitha forumet dhe cilido që ka vërejtje, ka pakënaqësi, ka të drejtë të ankimojë. Por absolutisht ata që kanë punuar për kundërshtarët, nuk do kenë vend në PD”.

Edhe për problemet e brendshme akuzon kryeministrin Edi Rama, por thotë se do të dështojë në tentativën e tij për të përçarë demokratët.

“Këto janë përpjekje të dëshpëruara të Edi Ramës dhe atyre që bëhen lolo të tyre”.

Lideri demokrat edhe nga ky komunikim me median u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në protestën e 17 Prillit, duke shtuar se strategjia e demokratëve është vetëm largimi i Edi Ramës.

Po ndodh...

ide