Mark Molla dëshmon në GJKKO kundër Bardh Spahisë

Mark Molla, ish-drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve të Shkodrës, ka dëshmuar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, në procesin ndaj ish-kryebashkiakut Bardh Spahia, të cilin e ka kallëzuar në SPAK për shkarkim të paligjshëm nga detyra dhe për moszbatim të vendimit të gjykatës që e rikthente atë në punë.
Molla, i cili ishte emëruar administrator me mandat 3-vjeçar, pretendon se është larguar nga detyra në mënyrë abuzive, pa ndjekur procedurat ligjore dhe pa qenë pjesë e mbledhjeve të Asamblesë së Ujësjellësit.
Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Molla deklaroi:
“Në 2022 kam qenë administrator i Ujësjellësit Shkodër. Si administrator kam bërë detyrën mirë. Nga ministrat Gjiknuri dhe Balluku ujësjellësi Shkodër është vlerësuar si nga më të mirët. Unë bëra një kallëzim penal, pasi ish-kryetarja, për shkak të performancës, më dha një mandat 3-vjeçar.”
Ai rrëfeu se që pas zgjedhjes së Bardh Spahisë në krye të Bashkisë Shkodër, nuk është lejuar më të ushtrojë funksionin e tij.
“Unë nuk jam parë sot e kësaj dite nga ish-kryetari i bashkisë. Jam njohur si njeri pa vlerë vetëm nga shkresat zyrtare. Unë nuk jam lënë të hyj në institucion. Unë kam pritur vendimet e gjykatës. Nuk është shkelur vetëm një, por tre vendime,” tha Molla.
Molla u ndal edhe te mungesa e transparencës në procedurën e shkarkimit.
“Nëse bëhet një mbledhje asambleje për largimin e administratorit, administratori merr pjesë. Unë nuk jam thirrur asnjëherë,” shtoi ai.
Për mënyrën si është informuar për vendimet e shkarkimit dhe reagimin e tij ligjor, Molla tha: “Në maj 2022 jam njohur me një urdhër largimi, që ka ardhur me postë. Unë i jam drejtuar gjykatës. Gjykata nuk e ka njohur si vendim. Spahia ka bërë një tjetër urdhër largimi. Edhe atë e godita në gjykatë, e cila po ashtu nuk e njohu vendimin e kryebashkiakut.”
Më tej, ai shtoi se edhe pas vendimit të tretë për largim, nuk është respektuar procesi ligjor.
“Për vendimet e gjykatës, e kam fjalën për sigurimin e padisë. Ndërkohë pas vendimit të tretë të largimit, erdhi një person nga Bashkia dhe më kërkoi të liroj zyrën. I thashë, që ta liroj, vetëm nëse më thotë gjykata. Unë atë ditë shkova në Postribë, për çështje pune. Ndërkohë godina e ujësjellësit u rrethua nga policia dhe policia bashkiake. Nga 320 punonjës, Spahia nxorri një urdhër që lejonte të futeshin në institucion vetëm 62 veta,” nënvizoi ai.
Për mënyrën si është larguar nga zyra, Molla tha:
“Unë nuk kam bërë asnjë dorëzim. Zyra është thyer në formë absurde nga një komision. Në datë 9 është bërë thyerja, ndërsa komisioni që bëri thyerjen është miratuar në datë 10.”
Në fund të dëshmisë, ai sqaroi se për dy vendimet e para të largimit është njoftuar me postë, ndërsa për të tretin është informuar nga drejtuesja e Asamblesë
“Për 2 vendimmarrjet e largimit jam lajmëruar përmes postës. Të tretën ma ka sjellë drejtuesja e Asamblesë,” përfundoi Molla.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
