Kërkesat/ Mblidhet “Kuvendi i Thethit”, burrat flasin për “përballjen” me shtetin: Kullat i kemi mbrojtur me gjak!

13 Korrik 2025, 18:38 / POLITIKË ALFA PRESS
Kërkesat/ Mblidhet “Kuvendi i Thethit”, burrat flasin për

Këtë të diel, në qendër të fshatit, pranë Kishës, janë mbledhur banorët e fshatit turistik të Thethit.

Burrat të cilët prej ditësh tanimë po përballen me forcat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe me efektivët e policisë, kanë mbajtur sot “Kuvendin e Thethit” ku dhe kanë diskutuar lidhur me atë çfarë do të bëjnë në vijim.

Të shqetësuar për të ardhmen e bujtinave të tyre, ata kanë kërkuar që qeveria të ndalojë aksionin dhe t’u japë mundësinë për legalizimin e bizneseve të tyre, si pjesë e paketës për zhvillimin e turizmi malor. Ata kërkojnë më shumë informacion dhe mundësi për të marrë pjesë në këtë iniciativë.

Zef Vladi, përfaqësues i Shalës, tha se u ka bërë thirrje qeverisë që të tregohen më të arsyeshëm pasi të gjitha ndërtesat janë ngritur nga banorët me “para djerse”.

 “Kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e vet që janë bërë, nuk duhet të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prish akoma, por do tu vijë dita. Këto kulla janë bërë me djersë e larë me gjak, i kemi mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme as shteti, as kurrkush me ardhur me hy në tokat tona, tokat shekullore”, tha ai.

Kujtojmë se deri më tani në fshatin turistik të Thethit janë shembur rreth 70 ndërtime pa leje, ndërkohë që shembjet vijojnë. Nuk kanë munguar as përplasjet mes banorëve, forcave të policisë dhe inspektorëve të IKMT-së.

Jo më larg se dy ditë më parë banorët i sulmuan fadromat e IKMT-së me molotovë dhe u munduan të hedhin në erë një urë me qëllim që të pengonin punën e tyre dhe të ndalonin shembjen e bujtinave.

Po ndodh...

ide