
Ministrat Hoxha dhe Mazniku prezantojnë Prefektin e ri të Elbasanit. Ish-zv/ministri Ilir Bejtja merr detyrën

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku prezantuan Prefektin e ri të Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, i cili merr këtë detyrë duke zënë vendin e ish-prefektit Ali Mysliu.
Në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Elbasanin morën pjesë autoritete vendore, kryetarë të bashkive në qark e drejtues lokalë.
Ministri Hoxha bëri një portret të shkurtër profesional të Prefektit të ri dhe njëherësh i uroi suksese në detyrën e ngarkuar.
“Prefekti i ri, Ilir Bejtja është një personalitet, me njohuri dhe eksperiencë të gjatë në administratën publike, me kontribut si deputet dhe së fundmi, për disa vite, në rolin e zëvendësministrit. Ai vjen në këtë detyrë me një bagazh profesional dhe institucional, duke pasuar Prefektin Ali Mysliu, i cili ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Për profesorin, siç ja kam shprehur edhe në bisedën që pata me të, kam vetëm vlerësime dhe mirënjohje për periudhën që drejtoi Prefekturën,”- theksoi Ministri Hoxha gjatë prezantimit.
Duke folur rreth detyrave dhe angazhimit të strukturave shtetërore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, Ministri vuri në dukje se “me afrimin e datës 11 Maj, Prefekti do të ketë një rol kyç në bashkëpunim me institucionet zgjedhore dhe organet e rendit, për të siguruar një proces të rregullt, të ndershëm dhe të qetë. Marrja e të gjitha masave për garantimin e infrastrukturës dhe logjistikës zgjedhore do të jetë një prioritet kyç i tij, në javët në vijim”.
Më tej, në lidhje me rolin dhe angazhimet e Prefektit në sigurinë publike, Ministri i Brendshëm tha se “një nga sfidat kryesore të Prefektit do të jetë forcimi i Këshillave Vendore të Sigurisë dhe koordinimi me strukturat e rendit për garantimin e sigurisë publike. Dua të informoj edhe qytetarët se puna për monitorimin e territorit ka nisur me kontrolle policore dhe operacione kundër kultivimit të lëndëve narkotike,” – u shpreh Ministri.
Në fund, duke folur rreth projekteve zhvillimore në qarkun Elbasan dhe detyrave të prefektit, Ministri Hoxha bëri me dije se “në qarku janë duke vijuar projekte të rëndësishme, sidomos në infrastrukturën rrugore, të cilat e kthejnë këtë zonë një pikë kyçe, si edhe një atraksion për vizitorë e turistë vendas e të huaj. Si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në qark, Prefekti duhet të luajë një rol më aktiv në koordinimin e institucioneve, zbatimin e politikave zhvillimore dhe rritjen e eficiencës së administratës vendore”.
“Është shumë e nevojshme të kemi një koordinim mes bashkive dhe institucioneve qendrore, në mënyrë që të ketë përfitime të dukshme në jetën e njerëzve. Të përkthehet nga një zhvillim infrastrukturor në përmirësim në jetën e njerëzve. Një ndër detyrat kyçe të Prefektit është të koordinojë gjithë aktorët në territor për të ecur para punët”, u shpreh ministri Mazniku.

Fundi i një Lideri të fortë edhe njëkohësisht të dobët, si rasti Rama!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128