Pastor Akil Pano sulmon ashpër Gazment Bardhin: Po i bën një dëm të madh opozitës Berisha, çon ujë te Rama!

14 Tetor 2024, 11:32 / POLITIKË ALFA PRESS

Pastor Akil Pano sulmon ashpër Gazment Bardhin: Po i bën një

Pastori Akil Pano ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të shprehur nga deputeti i opozitës Gazment Bardhi, duke kritikuar deklaratën e tij në lidhje me modelin konservator të Kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Sipas Panos, qëndrimi i Bardhit përbën një sulm të panevojshëm ndaj një modeli politik që ka sjellë përfitime të mëdha për Hungarinë, veçanërisht në fusha si mbrojtja e familjes, rritja ekonomike dhe ruajtja e sovranitetit kombëtar.

Pano thekson se ky moment është kritik për opozitën shqiptare, e cila duhet të përqafojë një projekt të mirëfilltë konservator, në mënyrë që të mbrojë vlerat tradicionale dhe të ndërtojë një alternativë të fortë ndaj qeverisjes aktuale.

Reagimi i plotë:

Deklarata e Bardhit dhe modeli Hungarez! Një këshillë për opozitën!
Një ditë më parë, ndërsa kryeministri i Shqipërisë vizitoi Hungarinë, kryetari i grupit parlamentar të opozitës goditi modelin Hungarez konservator dhe Kryeministrin Orban të cilin e cilëson problem. Citoj:
“E vërteta është që modeli i Kryeministrit Orban në Hungari nuk mund të jetë kurrë modeli ynë i rrugëtimit europian… (pasi) modeli i Kryeministrit Orban është ai i kontrollit ndaj medias që ka cenuar lirinë e shprehjes dhe që ka sjell perceptimin për rritjen e korrupsionit.”
E djathta diverse në dallim nga e majta ideologjikisht e unifikuar, sot ndodhet në orën e saj më të vështirë. Koha parashtron kërkesën për maturi dhe unitet, thelb që duhet reflektuar në deklarata dhe në aksionin politik opozitar.
Dikush më tha se do të kishte qenë më mirë të mos ishte shprehur, kujt iu desh dhe kujt i intereson një qëndrim i tillë!?
Unë mendoj të kundërtën, pasi ky është momenti për të shprehur mendimet dhe mprehur fokusin opozitar.
Zoti Bardhi foli si përfaqësues i asaj pjese të familjes politike që quhet e djathta e qendrës, problem kryesor i së cilës është erozioni që i sjell të djathtës reale dhe sovraniste.
Qëndrimi në qendër i së djathtës në një kohë si kjo, është më i dëmshëm për të djathën se socializmi pothuaj i çdo lloji. Bëni durim, ju a spjegoj më poshtë…
Zoti Bardhi, me apo pa dashje goditi politikat e qeverisë Hungareze dhe konservatorizmin.
Kryeministri Orban me projektin e tij politik e ka ngjitur Hungarinë në vendin më të lartë social dhe ekonomik të njohur ndonjëherë nga qytetarët hungarez. Me politikat fiskale profamiljes, mbështetjen ekonomike për të rinjtë, punësimin, mbështetjen e çifteve të reja për martesën, strehimin, lindshmërinë, Hungaria qëndron vite dritë larg nga politikat fiskale të qeverisë Shqiptare.
Natyrisht projekti konservator i cili synon forcimin e familjes dhe kombit, gjithashtu synon ruajtjen e kulturës, traditës kombëtare përkundrejt kundërkulturës globaliste e cila synon ndërhyrjen kirurgjikale dhe transformimin e asaj që është natyrë dhe traditë kombëtare.
Bardhi flet për çensurë në Hungari! Pyesni pak konservatorët hungarez se cili ishte realiteti i çensurës nga e majta në vendin e tyre përpara se Orban të fitonte zgjedhjet e mandatit të parë. Pyetini pak se cila ishte gjendja e familjes, indeksi i lindshmërisë, punësimi, mbështetja e çifteve të reja dhe emigracioni i të rinjve hungarez! Pyesni konservatorët kudo në botë në vendet që qeverisen nga e majta globaliste teksa përballen me kulturën e anullimit dhe çensurën e çdo lloji, gjyqet, gjobat, burgosjet.
Bardhi, me apo pa dashje, goditi mundësinë konservatore si antitezën e politikave të qeverisjes Rama. Vetëm përkufizimi i të ‘kundërtës Rama’ si një projekt politik opozitar i cili duhet të jetë thelbësisht i thjeshtë, i qartë, konkret dhe i portretizuar tek figura të reja politike e me integritet është mundësia e vetme e shpëtimit të opozitës dhe Shqipërisë.
Jo afrimi, por largimi nga modeli Rama është mundësia e vetme që ka opozita në 2025ën.
Ndërsa Rama nga Hungaria qëllimisht afrohet me modelin konservator duke shpallur ‘model’ Hungarinë, s’po bën asgjë veçse përsërit veten. Siç rrëmbeu nga e djathta simbolin e dy gishtave katër vite më parë, tani nga Hungaria përshëndet modelin konservator dhe mos u çuditni që ‘mjeshtrin’ e rrëmbimit të emblemave opozitare në vijim ta shihni të sjellë copëza a pjesë të modelit konservator Hungarez në Shqipëri.
Qëllimi i Ramës në këto zgjedhje është ta relativizojë, reduktojë e ta bëjë të padukshme të djathtën në Shqipëri. Nëse jo përmes njollosjes, arrestimit dhe burgosjes së figurave kryesore, (tashmë kjo ka ndodhur) do e realizojë përmes tjetërsimit të esencës së të djathtës duke krijuar një qenie tjetër politike; një opozitë shterpë, që më shumë se Shqipërisë i duhet Ramës të mbajë pushtetin.
Bardhi duke u larguar nga Hungaria, afrohet tek Rama ndërsa Rama duke u afruar tek Hungaria relativizon deri në zhdukje opozitën. Një ekuacion në dukje i komplikuar, por në thelb i thjeshtë.
Dje, Bardhi me ose pa dashje goditi mundësinë e bashkimit të grupeve diverse në kampin e vetëm opozitar që mund të ngjizi shpresën, krijojë frymën dhe bashkojë Shqiptarët kundër regjimit që i zbon ata çdo ditë nga toka e tyre.
E vetmja mundësi që ka opozita të shpëtojë veten dhe Shqipërinë, është krijimi i grupimit më të gjerë opozitar profamiljes, traditës dhe sovranitetit të Shqipërisë.
Sovranitet që qeveria e majtë e ka vendosur në diskutim përgjatë gjithë qeverisjes së saj, veçanërisht sëfundmi me marrëshjen për refugjatët; projektligjin për surrogacinë dhe projektin e shtetit Islamik të urdhërit Bektashi brenda territorit të Shqipërisë.
Opozita duhet të bashkohet rreth koalicionit konservator të vendeve si: Hungaria, Polonia, Çekia, Hollanda (sëfundmi), Italia, e ndonjë vend tjetër që udhëhiqet nga qeveri konservatore si Argjentina etj.
Vetëm një projekt i mirëfilltë ProFamiljes dhe ProShqipërisë, opozitë e bashkuar në një koalicion që më shumë se një pakti politik pragmatist duhet t’i përngjajë besëlidhjes së 2 Marsit 1444, mund t’i rezistojë valës shkatërruese të tsunamit globalist/socialist që synon të shkatërrojë familjen dhe copëtojë Shqipërinë. Ja pse zgjedhjet 2025 janë jetike për familjen dhe fatet e Shqipërisë.
Nëse opozita nuk ripërkufizon veten sot, nesër Rama do ta bëjë për të.

Po ndodh...