Perandoria 65 milionë € e Tom Doshi

25 Maj 2023, 22:51 / POLITIKË ALFA PRESS

Perandoria 65 milionë € e Tom Doshi

Tom Doshi hyri në politikë në vitin 2005, por përpara se të bënte këtë hap, pushteti ekonomik i tij ishte shtrirë në disa sektorë të vendit.

I lindur në Shkodër, me ardhjen e demokracisë, si një pjesë e mirë e shqiptarëve të atyre viteve synimi ishte emigrimi. Por nuk largohet menjehërë. Një dënim i dhënë më 25 maj të vitit 1990 nga Gjykata e Durrësit për sjellje të padenjë në shoqëri e dënon me 1 vit burgim.

Në vitin 1992 Tom Doshi shkon në Selanik të Greqisë për të qëndruar vetëm 2 muaj. Në dhjetor udhëton drejt Gjermanisë për të qëndruar deri në mars të vitit 1994. Më pas kthehet dhe prej vitit 1997 zhvendoset bashkë me familjen në qytetin Adelaide në Australi. Jeta e tij më pas do të vazhdojë mes Shqipërisë dhe Australisë.

Në Shqipëri ai do të kthehet i pasur. Në vitin 1995 ndërton një shtëpi në Shkodër vlera e të cilës kushton 300 mijë dollarë. Ble njëkohësisht dhe 9 mijë metra katorë tokë bujqësore për 50 mijë dollarë.

Nga viti 1996 Tom Doshi është prezent në sektorin e ndërtimit me kompaninë Aldosch dhe ortak me 50% të aksioneve të një pike karburanti në Golem, të cilën e ble të gjithën disa vite më vonë.

“Në vitet 91-92’ mendohej se politika ishte diçka më elitare dhe kishte më shumë intelektualë dhe profesorë – doktora. Por ajo që ndodh në Shqipëri dhe vende të tjera, politika në nevojë për vota dhe para. Këto i merr nga biznesmenë në rastin më të mirë”, thotë analisti Neritan Sejamini.

Viti 2000 do të shënojë hyrjen e tij në sektorë të domosdoshëm dhe strategjikë të vendit: ai privatizon me 2.6 milion dollarë fabrikën shtetërore të përpunimit të qumështit “Ajka” dhe kompaninë gjigande të farmaceutikës “Profarma” 98.5% të aksioneve të së cilës do t’i kushtonin 6 milion dollarë.

Nga këto dy kompani më e suksesshmja do të ishte ajo e farmaceutikës, treg i cili ndër vite u zgjerua me firma të tjera: Prodental, Trimed dhe Antibiotik.

Prodentalin e ble në vitin 2007 për 1.3 milion euro dhe shet dy vjet më vonë për 6 milion euro. Vetëm nga ndarja e dividentit në kompanitë e tij Tom Doshi ka marrë 26.7 milion euro, pa llogaritur këtu dhe të ardhurat e tij nga paga si drejtues për disa vite në këto kompani apo të bashkëshortes Xhovana, e cila është dhe administratore e kompanië Profarma.

Çdo vit pasuria e tij vetëm do të rritet duke u bërë pronar i disa shtëpive në Australi, Tiranë, Shkodër, biznesesh, hoteli dhe tokash.  Ka shtëpi 4 shtëpi në  Australi dhe një godinë banimi të cilat sipas asaj që ka deklaruar në formularin e pasurisë kushtonin 2.4 milion euro në momentin e blerjes. Nga shitja e një ndërtese dhe trualli në këtë shtet ka përfituar 1.2 milion euro.  Zotëron 16.000 metra katrorë tokë në Shkodër, 11.380 të tjera buzë autostradës, 15.240 m2 në Vorë, të cilat kanë kushtuar afërsisht 1.7 milion euro.

Doshi zotëron pasuri të patundshme në apartamente, garazhde dhe ambiente biznesi në vlera të konsiderueshme. Ka 35% të ambienteve në një pallat në kryeqytet, ku është bërë përfitues si pronar i një pjese të truallit. 1 apartament në Tiranë me sipërfaqe 150 m2, 1 apartament te rruga e Durrësit me vlerë 100 mijë euro, ambiente banimi të rruga Qemal Stafa me vlerë 580 mijë euro, ndërsa vitet e fundit ka blerë pasuri të patundshme me një vlerë 980 mijë euro. Doshi ka blerë dhe një truall për 2 milion euro, zotëron një hotel që i ka kushtuar 150 mijë euro, disa njësi shërbimi në rrugën e Durrësit për të cilat ka paguar 270 mijë euro, ndërsa ka shitur gjatë viteve të fundit 5 milion euro pasuri të patundshme dhe ka bërë lëvizje në kalime të tyre nga vetja te kompanitë në vlera mbi 3 milion euro.

Miniera e arit për Tom Doshin është kompania Aldosch e cila operon si një konglomerat që ka si aktivitet kryesor ndërtimin, por që zotëron 99.6% të Profarmës, 97% të kompanisë faramceutike Antibiotik dhe 100% të Galaxy. Kapitali i Aldosch është 13.8 milion euro, ku 7.5 milion janë asete në natyrë.

Nga vitet 2000 dhe deri në vitin 2021 këto firma kanë arkëtuar 246 milion euro dhe i kanë sjellë pronarit të tij 52 milion euro fitime para taksave. Doshi ka qënë i ekspozuar në disa kredi bankare në vlera miliona euro të cilat janë marrë për të mbështetur aktivitetin e biznesit të tij dhe financimin e blerjes së shtëpive në Australi. Pjesa më e madhe e huasë është shlyer, ndërsa në vitin 2020 i mbetet një shumë me vlerë 3.7 milion euro të marrë në bankat Credins, Intesa San Paolol dhe një pjesë më e vogël në palët e treta.

Pasuria personale e deklaruar e Tom Doshit në toka, vila, apartamente, njësi shërbimi dhe makina kap vlerën 9 milion euro, ndërsa bizneset e tij kanë një vlerë kontabël 56.4 milion euro. Sipas metodës së llogaritjes së vlerës së pasurisë, asete minus detyrime, e gjithq pasuria në asete personale dhe biznese në fund të vitit 2021 është 65.4 milion euro.

“Në kushtet e vendeve të vogla, aktorëve të rëndësishëm i duhet politika për dy koraca: mbrojtëse dhe ruatjes së pozicionit në treg, financa apo vendimarrje publike”, thotë Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve. /MCN