Prokuroria e Tiranës rrëzon kallëzimin e Albana Vokshit ndaj Manastirliut dhe zyrtarëve të PS për takimin në Greqi

28 Maj 2025, 11:56 / POLITIKË ALFA PRESS

Prokuroria e Tiranës rrëzon kallëzimin e Albana Vokshit ndaj

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të mos nisë hetim penal ndaj ministres Ogerta Manastirliu, zv.kryeministres Belinda Balluku dhe disa zyrtarëve vendorë të PS, pas një kallëzimi të bërë nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

Kallëzimi lidhej me një aktivitet të zhvilluar në Athinë, në muajin shkurt 2025, ku sipas Vokshit, zyrtarë të PS kishin shfrytëzuar administratën për qëllime elektorale dhe kishin ndikuar te votuesit e diasporës.

Ajo pretendonte se një person i paraqitur si përfaqësues i KQZ-së regjistronte emigrantët në favor të PS.

Pas më shumë se një muaji verifikimesh, përmes pamjeve filmike dhe dokumenteve zyrtare, prokurorja e çështjes, Eloida Goxhi, nuk konstatoi elementë të veprës penale të “përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore”. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaroi se nuk kishte dërguar përfaqësues në terren dhe se regjistrimi i emigrantëve bëhej vetëm online.

Bazuar në këto gjetje, organi i akuzës vendosi mosfillimin e procedimit penal, duke rrëzuar përfundimisht kallëzimin e depozituar fillimisht në SPAK nga Vokshi. Vendimi është firmosur edhe nga drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, dhe i është komunikuar Partisë Demokratike.

 

Po ndodh...