PS monitoron protestuesit, sheshi përgjigjet me rezistencë: Çfarë ndodhi në protestën e 11-të

10 Qershor 2026, 23:45 / POLITIKË ALFA PRESS

PS monitoron protestuesit, sheshi përgjigjet me rezistencë:

Protesta e 11-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama u shoqërua me një marshim të gjerë të mijëra qytetarëve në rrugët e Tiranës.

Tubimi nisi para godinës së Kryeministrisë dhe vijoi drejt Bashkisë së Tiranës, për të kaluar më pas në zonën e “9-Katësheve”, Rrugën e Kavajës, 21 Dhjetorin, “Vasil Shanton” dhe stadiumin “Dinamo”.

Pas itinerarit disaorësh, protestuesit u rikthyen sërish para Kryeministrisë, ku vijuan me thirrje kundër qeverisë.

Në një moment simbolik gjatë marshimit, protestuesit u ulën në tokë te kryqëzimi i 21 Dhjetorit, përpara se të vazhdonin ecjen drejt zonës së “Vasil Shantos”.

Gjatë gjithë marshimit u dëgjuan vazhdimisht thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike.

“Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama ka mbaru”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re”, “Atdheu nuk shitet” dhe “Atdheu i shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, ishin disa nga sloganet që dominuan protestën.

Si në netët e mëparshme, qytetarët e mbyllën marshimin me thirrjen “Nesër më shumë”.

Një nga momentet më të spikatura të protestës ishte fjalimi i një vajze të re, e cila sfidoi publikisht kryeministrin Rama të përballej me protestuesit në shesh.

“Kam 18 vite që dëgjoj se Shqipëria nuk bëhet, por do të bëhet, sepse për të do të luftojmë ne, brezi i ri. Nuk do të ikim, por do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë bota”, tha ajo.

E reja foli edhe për emigracionin e prindërve të saj, duke treguar se është rritur nga gjyshërit, ndërsa u shpreh se ndodhej në protestë për familjen dhe bashkëmoshatarët e saj.

“MOS E LËSHONI FRONTIN”

Ish-oficeri i policisë Krenar Ahmeti iu bashkua protestës duke bërë thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar.

Ai deklaroi se shqiptarët kanë investuar miliona euro për formimin e tij si oficer, ndërsa sot punon si shofer dhe merr pension të parakohshëm.

Ju jap një urdhër: mos e lëshoni frontin, mos e lëshoni frontin, sepse janë momente vendimtare“, u shpreh Ahmeti para protestuesve.

Analisti Kim Mehmeti përshëndeti protestuesit përmes një mesazhi të transmetuar në tubim.

Ai vlerësoi pjesëmarrësit si zërin e shpresës për shqiptarët dhe tha se ata po bëjnë atë që, sipas tij, nuk arritën ta bëjnë intelektualët dhe analistët në studiot televizive.

“Jeni heronjtë e mi”, ishte një nga mesazhet e Mehmetit drejtuar protestuesve.

Nga podiumi foli edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, i cili akuzoi qeverinë për presione, kërcënime dhe arrestime ndaj protestuesve.

Ai pretendoi se pas fjalimit të tij në protestën e një dite më parë, policia kishte arrestuar vëllanë e tij në Roskovec për shkak të deklaratave që kishte bërë ndaj kryeministrit.

Sipas Zotajt, këto veprime nuk do ta ndalin protestën, por do ta forcojnë atë.

Një qytetar nga Dukati i Vlorës kërkoi që nismëtarët e protestës të identifikohen publikisht dhe propozoi ngritjen e një Kuvendi Kombëtar.

Sipas tij, protesta duhet të shndërrohet në një lëvizje të organizuar që synon ndryshimin e sistemit politik dhe jo të mbetet vetëm një reagim në rrugë.

“Varet fati ynë dhe i fëmijëve tanë nga kjo protestë”, deklaroi ai.

Pankartat vijuan të jenë një nga elementët më të spikatur të protestës.

Ndër mesazhet që tërhoqën më shumë vëmendje ishte pankarta: “O Sali o fosil, ik me Ramën në azil”, e cila ironizonte njëkohësisht dy figurat kryesore të politikës shqiptare.

Gazetarja Fjorela Beleshi deklaroi se protesta ka shkaktuar shqetësim në radhët e Partisë Socialiste dhe të kryeministrit Rama.

Sipas saj, struktura të mazhorancës po monitorojnë aktivitetin në rrjetet sociale për të identifikuar personat që shpërndajnë përmbajtje nga protestat dhe për të zbuluar organizatorët e tyre.

Beleshi tha gjithashtu se disa përfaqësues të protestuesve janë ftuar për dialog nga kryeministri, por nuk kanë pranuar, ndërsa protesta vijon të mbetet pa një drejtues të shpallur publikisht.

Po ndodh...