Pse heshtni në parlament për dhëndrin e Trump? Noka: Është investitor strategjik, ne nuk jemi kundër biznesit

1 Tetor 2024, 08:58 / POLITIKË ALFA PRESS

Pse heshtni në parlament për dhëndrin e Trump? Noka:

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, është pyetur mbi faktin se përse opozita nuk ka folur asnjëherë për çështjen e Sazanit dhe Zvërnecit të cilat mund t’i jepen kompanisë së drejtuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, për të cilën ka patur artikuj të shumtë në mediat ndërkombëtare, madje tashmë ka nisur edhe një hetim nga Senati.

Ylli Rakipi iu drejtua Nokës se pse kjo parti nuk e mbron interesin publik në këtë rast, pasi sipas tij, bëhet fjalë për prona publike dhe a lidhet kjo me faktin se Berisha shpreson që një administratë e re në SHBA mund t’i heqë non-gratën.

Noka deklaroi se PD nuk mund të flasë kundër biznesit dhe nuk mund të jetë kundër investimeve. Më tej ai shtoi se dhëndri i Trump është investitor strategjik, si dhe një partner strategjik.

Pjesë nga biseda: 

Ylli Rakipi: Në SHBA ka nisur një hetim nga Senati për dhëndrin e Donald Trump dhe investimet e Affinity Partners, në vende të huaja, përshirë edhe Shqipërisë ku është folur për një projekt në Sazan dhe Zvërnec. Pse nuk flet opozita për këtë çështje? Nuk jeni të shqetësuar për pronat publike në këtë rast? Keni hallin se vjen Trumpi në pushtet dhe mendoni se i heq non-gratën doktorit?

Flamur Noka: Ne jemi partia që hapëm Shqipërinë me perëndimin.

Ylli Rakipi: Kjo nuk ka lidhje me pyetjen.

Flamur Noka: Jemi parti e qendrës së djathtë, pro biznesit. Jemi partia që hapëm Shqipërinë ndaj investimeve të huaja.

Ylli Rakipi: Nuk jemi kundër, por s’ka lidhje me pyetjen.

Flamur Noka: Prandaj, jemi partia që kur kemi qenë në pushtet, kemi patur numrin më të lartë….

Ylli Rakipi: Keni sharë Lul Bashën që ka shitur interesat e opozitës.

Flamur Noka: Prandaj nuk mund të jemi kurrë kundër ndaj një investitori që është partner strategjik i yni. Rama ka luajtur pë ti futur në xhepa…

Ylli Rakipi: Epo bravo Edi Rama këtu pra, rrezikon t’ju “marrë” Trumpin…

Flamur Noka: Ne nuk mund të jemi kundër investimeve. Është investitor strategjik. Kurrë nuk na gjen kundër biznesit.