Rama ‘shpërthen’ ndaj opozitës: Bëjnë çmos të mbulojnë punët e Shqipërisë me ziftin dhe baltën e urrejtjes!

5 Prill 2026, 10:46 / POLITIKË ALFA PRESS

Rama ‘shpërthen’ ndaj opozitës: Bëjnë

Kryeministri Edi Rama kritikoi opozitën për mënyrën se si prezanton zhvillimet në vend, duke theksuar se shumë çështje të rëndësishme për Shqipërinë identifikohen vetëm me “një luftë mizerabël politike”.

Në podkastin e tij “Flasim” ai u shpreh se përpjekjet e kundërshtarëve politikë synojnë që punët e Shqipërisë të mbulohen me “ziftin e dëshpërimit, baltën e urrejtjes, mllefit dhe inateve të tyre”.

“Ajo që është më shqetësuesja, për sa më takon dhe për sa na takon, është se nuk flitet, nuk komunikohet e nuk diskutohet për punët e Shqipërisë. Po përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre”, tha Rama.

Rama pranoi se Shqipëria ka probleme dhe ka ende shumë punë për të bërë, por theksoi se vendi “punon dhe punët e Shqipërisë, në tërësi, janë në vijë”.

“Shqipëria ka probleme, patjetër. Ne kemi shumë punë për të bërë, pa dyshim; jo çdo punë e kemi bërë si duhet dhe sa duhet, kjo nuk ka diskutim, por ama Shqipëria punon dhe punët e Shqipërisë, në tërësi, janë në vijë”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi gjithashtu progresin e vendit në procesin historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke mohuar pretendimet se negociatat janë bllokuar ose penguar.

“Është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: “ato janë bllokuar”, “ato janë ndaluar”, “ato janë penguar”, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, tha kryeministri Rama.

Po ndodh...

ide