Seanca ndaj Kristian Shkrelit në GJKKO, dëshmitarja: Kristiani më tha voto 11, por jo kandidatët

6 Mars 2026, 14:14 / POLITIKË ALFA PRESS

Seanca ndaj Kristian Shkrelit në GJKKO, dëshmitarja: Kristiani më

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të premte seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vau i Dejës, Kristian Shkreli, ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Ashtu si edhe në seancën e kaluar, prokurorët vijuan me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.

Dëshmia e elektricistit të OSHEE
I pari që dëshmoi ishte Martin Toma, i cili tha se punon si elektricist në OSHEE në Vaun e Dejës dhe u pyet për një ndërhyrje në rrjetin elektrik në fshatin Stajkë.

“Punoj në OSHEE Vau i Dejës me detyrë elektricist. Në lidhje me një remont jam në dijeni pjesërisht. Në Stajkë ka qenë një lagje me një rrjet të amortizuar. Na kanë thirrur drejtuesit e OSHEE dhe na kanë thënë se do të punonim në atë vend. Shefi i teknikës, Jetmir Deda, na tha se në atë ditë do të shkonim për të bërë remontin,” deklaroi Toma në gjykatë.

Ai shtoi se punonjësit kryen çmontimin e rrjetit të vjetër dhe vendosjen e shtyllave dhe kabujve të rinj.

“Sapo kemi shkuar në lagjen e Stajkës kemi bërë demontimin dhe pastaj kemi vendosur shtylla. Kemi bërë hapje gropash për shtyllat dhe vendosje kabujsh. Të gjitha materialet kanë ardhur nga makinat e OSHEE, me fatura dhe dokumentacion. Ka qenë një fadromë që ka hapur gropat, por nuk e di nëse ka qenë private apo shtetërore,” tha ai.

Dëshmia e ish-drejtorit të shërbimeve publike

Në vijim dëshmoi Leorenc Pjetra, specialist i urbanistikës në bashkinë Vau i Dejës, i cili tha se kishte dijeni për një linjë elektrike në Stajkë, por vetëm nga mediat.

“Po, kam dijeni për një linjë elektrike në fshatin Stajkë dhe e kam marrë vesh nga një portal. Nuk e di çfarë investimi është kryer, por di vetëm për një linjë elektrike. Di që është bërë në muajin shkurt–mars të vitit 2025,” tha ai.

Pjetra deklaroi se në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të shërbimeve publike dhe nuk kujton të jetë kontaktuar nga kryebashkiaku për këtë çështje.

“Në atë periudhë nuk e kujtoj të kem marrë telefonatë nga Kristian Shkreli. Kemi pasur telefonata të shpeshta për kanale vaditëse apo kulluese, por për këtë rast më është kërkuar ndihmë nga drejtuesi i OSHEE për një fadromë. Nuk e kujtoj që Kristian Shkreli të më ketë marrë në telefon,” u shpreh ai.

Sipas dëshmitarit, fadroma ishte kërkuar për të hequr ose shkulur shtyllat elektrike.

“Drejtori më tha se i duhej fadroma për të shkulur apo hequr shtylla. Fadromën do ta përdorte një shtetas me emrin Kastriot,” deklaroi Pjetra.

Dëshmia e Franga Kolajt
Një tjetër dëshmitare ishte Franga Kolaj, banore në Laç të Vau i Dejës. Gjatë seancës, prokurori lexoi një bisedë të përgjuar mes saj dhe kryebashkiakut Shkreli, që lidhej me votimin e fëmijëve të saj që jetojnë në diasporë.

Sipas përmbajtjes së bisedës, Shkreli i kishte thënë:

“Voto 11, por mos voto kandidatët.”

Dëshmitarja shpjegoi në gjykatë se biseda kishte të bënte me kërkesën e fëmijëve të saj për të ditur kë të votonin.

“Para shumë kohësh kam pasur burrin sëmurë. Kur u dëmtua burri më ka ndihmuar Tom Doshi. Unë jam e majtë me familje, jam kryetare e gruas për PS në Vau Dejës. Kur erdhi Kristian Shkreli kryetar na ndihmoi,” tha Kolaj.

Ajo shtoi se fëmijët e saj, që jetojnë jashtë vendit, donin të votonin për Tom Doshin.

“Fëmijët më thanë se duam të votojmë Tom Doshin se e kemi detyrim moral. Mora Kristianin në telefon dhe i thashë: më thanë fëmijët kë të votojmë nga kandidatët. Kristiani më tha 11.”

Kolaj theksoi gjithashtu se nuk i ishte kërkuar ndonjëherë ndihmë kryebashkiakut në këmbim të votës.

“Unë banoj në Laç të Vau Dejës dhe nuk i kam kërkuar ndihmë asnjëherë për drita apo shërbime të tjera. Kristian Shkreli nuk më ka thënë asnjëherë voto Tom Doshin në kuadër të shpërblimeve,” deklaroi ajo.

Në seancën e ardhshme pritet të dëshmojnë edhe katër dëshmitarë të tjerë. Trupa gjykuese caktoi si datë për vijimin e procesit 2 prillin, në orën 14:00./VoxNews

Po ndodh...