“S’po i shoh qytetarët të mbyllin dyqanet e të dalin në shesh”, Shehi: Ja ku po gabon PD-ja me protestat

24 Shkurt 2026, 23:19 / POLITIKË ALFA PRESS

“S’po i shoh qytetarët të mbyllin dyqanet e të dalin

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ka komentuar valën e protestave të opozitës, duke u shprehur skeptik për efektin dhe përfshirjen qytetare në to. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Shehi tha se protestat po zhvillohen kryesisht me militantë partie dhe nuk po krijojnë frymën e nevojshme për ndryshim politik.

Sipas tij, opozita ka nevojë për një strategji të re dhe një projekt politik që prodhon shpresë te qytetarët, përtej protestave të përjavshme.

“Nuk më duket sikur ka një strategji opozitare. Kjo është strategjia e PD-së që është shumica e opozitës, por me thënë të drejtën nuk është se po shoh gjë të madhe. Protestat organizohen me të njëjtët militantë dhe ata po lodhen, bëhen gjithnjë e më pak. Mënyra për ta bashkuar opozitën është një projeksion i ri politik që krijon shpresë”, u shpreh ai.

Shehi theksoi se opozita duhet të dalë përtej konfliktit të brendshëm dhe të prodhojë figura të reja politike, duke ndërtuar një alternativë konkrete qeverisëse. Sipas tij, aksioni opozitar duhet të zhvillohet në disa drejtime njëkohësisht: në parlament, në media, në raport me ndërkombëtarët dhe përmes protestave në terren.

Duke folur për pjesëmarrjen qytetare, ai u shpreh se nuk sheh një mobilizim të gjerë në kryeqytet.

“Nuk shikoj qytetarët e Tiranës të mbyllin dyqanet dhe të dalin në protestë. Dyqani mbyllet kur njerëzit e ndjejnë që protesta është më e rëndësishme se puna e ditës ose kur ka një tension të madh shoqëror. Nuk shikoj këtë atmosferë. Ndoshta njerëzit janë lodhur, ndoshta alternativa nuk i frymëzon”, tha Shehi.

Megjithatë, ai theksoi se protestat mbeten një element i rëndësishëm i opozitës, por sipas tij pesha kryesore duhet të jetë te programi dhe vizioni për të ardhmen.

“Populli e di që gjërat nuk shkojnë mirë, por pyetja është: çfarë do bëhet ndryshe kur të vini ju? Alternativa duhet të jetë më e fortë se kritika”, tha Shehi.

 

Po ndodh...