Protesta mbarëqytetare në lupën e ndërkombëtarëve! Eurodeputetët zbarkojnë në Shqipëri: Po vijmë të dëgjojmë qytetarët, JO institucionet!

26 June 2026, 14:23 / POLITIKË ALFA PRESS

Eurodeputetja e Partisë së Të Gjelbërve Evropianë, Cristina Guarda, ka konfirmuar se një delegacion i kësaj force politike do të vizitojë Shqipërinë në ditët në vijim, në një mision të fokusuar te protestat e qytetarëve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, e çështjet mjedisore.

Në deklaratën e saj, Guarda thekson se qëllimi i vizitës është takimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe shoqërinë civile, për të kuptuar më thellë protestat që po zhvillohen në vend “pa ndërmjetësim institucional”. Sipas saj, protestat lidhen me çështje mjedisore, të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe kërkesën për një model zhvillimi që nuk varet nga interesat private dhe spekulative.

Po vijmë për t’ju takuar dhe për të kuptuar drejtpërdrejt domethënien e këtyre protestave,” thuhet në mesazhin e saj publik.

Guarda shton se procesi i integrimit europian të Shqipërisë duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe përmirësimit të jetës së tyre, duke garantuar dinjitet dhe të drejta themelore. Ajo thekson gjithashtu se standardet mjedisore dhe të të drejtave të njeriut nuk janë të mirëqena, por duhet të mbrohen dhe forcohen vazhdimisht. Vizita pritet të sjellë vëmendje të shtuar europiane mbi zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri. Po ashtu protestës do t’i bashkohet edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus. Kjo e fundit ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së qytetarëve në Tiranë, duke e cilësuar mbrojtjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mjedisit si një kauzë me rëndësi të veçantë.

Screenshot 105

Përveç eurodeputeteve Cristina Guarda dhe Jutta Paulus, gatishmëri për të vizituar Shqipërinë dhe për t'u njohur nga afër me protestat dhe shqetësimet e qytetarëve kanë shprehur edhe eurodeputetë të tjerë të grupit të Të Gjelbërve/EFA.

Mes tyre përmenden Anna Strolenberg, e cila ka deklaruar publikisht se do të udhëtojë drejt Shqipërisë për të dëgjuar drejtpërdrejt zërin e qytetarëve, si dhe Tineke Strik, e cila ka theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve mjedisore dhe të shtetit të së drejtës në procesin e integrimit europian të vendit.

Në delegacionin e pritshëm të Të Gjelbërve/EFA përmenden gjithashtu edhe eurodeputetët Daniel Freund dhe Vicent Marzà Ibáñez, të cilët pritet të zhvillojnë takime me aktivistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitete lokale gjatë vizitës së tyre në Shqipëri.

Po ndodh...

ide