Evolucioni i një flamengoje të gjatë

Kur mori pushtetin në vitin 2013 Edi Rama u premtoi qytetarëve shqiptarë se do të jetë “kryeshërbëtori” i tyre. Ai u premtoi se detyra do të jetë e tij, por “pushteti do jetë i juaji”. Sot kur qytetarët kërkojnë pushtetin mbrapa ai ka një mesazh për ta: “Fuck you”
Nëse synon të jesh lider që do të mbahet mend duhet të plotësosh shumë kritere. Njëri nga këto është të jesh orator i jashtëzakonshëm. Liderët e mëdhenj kanë një aftësi të lindur të inspirojnë njerëzit dhe të kapin bukur momentet historike. Janë poetë politikë. Prandaj ne mbajmë mend “Ich bin ein Berliner”, “Mos pyet çfarë vendi yt mund të bëjë për ty, por pyet çfarë ti mund bësh për vendin tënd”, e të ngjashme. Kësisoj unë mbaj mend një fjali shumë të bukur të Edi Ramës. Kur fitoi zgjedhjet e vitit 2013 dhe erdhi në pushtet ai doli para qytetarëve shqiptarë dhe u zotua se "Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do të jetë e imja, pushteti do jetë i juaji." Përdorimi i fjalës “kryeshërbëtor” ishte tejet elegant dhe i bukur. Nuk e di arsyen përse por m’u kujtua kjo fjali e Ramës kur këtë javë lexova që tani Rama u ishte drejtuar qytetarëve shqiptarë me “Fuck you”.
Mund të shkruash faqe pa fund për degradimin e pushtetit të Ramës, por asgjë nuk mund të kapë më bukur bankrotimin moral dhe politik të Edi Ramës sesa vetë fjalët e tij. Ai që filloi pushtetin me zotimin për të qenë “kryeshërbëtor” i popullit, sot i thotë “Fuck you” popullit të vet. I vetmi politikan tjetër në glob që ka përdorur kësi fjalori ndaj qytetarëve të vet është Rodrigo Duterte. “Putang Ina" apo “Bir kurve” është sharja të cilën Duterte e rregullisht përdorte kundër atyre me të cilët nuk pajtohej. Kësisoj sot Edi Rama e gjen veten në një shoqëri tjetër prej asaj në të cilën ka filluar pushtetin e tij. Ai që filloi si Kennedy, po përfundon sikur Duterte.
Degradimi eventual në “Fuck you” ishte konkluzion logjik i gjithë diskursit të cilin Edi Rama ka zgjedhur për t’iu përgjigjur Revolucionit Flamingo. Fillimisht ata u akuzuan se janë elemente të agjenturave iraniane, greke dhe serbe. Më pastaj Rama zbuloi se protesta është pjesë e një grusht shteti digjital kundër Shqipërisë. Më pastaj ajo u bë anti-amerikane, anti-izraelite, anti-kapitaliste dhe anti-zhvillimore. Më pastaj ajo ishte karavan dhe histeri e influencerëve të lazdruar të Shqipërisë të cilët rrezikojnë turizmin shqiptar. Më pastaj fajin e kishin të çmendurit që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. E kështu me radhë. Gjëja më e jashtëzakonshme rreth gjithë këtyre akuzave të Ramës ndaj protestuesve nuk ishte natyra apo thelbi i tyre, por shpejtësia me të cilën ato ndryshonin. Ironikisht akuzat vërtetonin se diçka nuk shkon me Ramën, jo me të akuzuarit e tij.
Te “Fuqia e të Pafuqishmëve” Havel fliste se si i gjithë sistemi totalitar ekzistonte sepse qytetarët pranonin të “jetonin brenda gënjeshtrës” së pushtetit. Ata e dinin se çdo gjë ishte e gabuar, ata e dinin se propaganda qeveritare ishte gënjeshtër, ata e dinin se zgjedhjet janë farsë, ata e dinin se ekonomia nuk ishte “mrekulli globale”, por secili nga ata zgjidhnin të pranonin këtë ritual gënjeshtrash deri në ditën kur njëri nga ta vendosi t’i japë fund kësaj performance të shëmtuar. Të tjetër pastaj iu bashkuan, ndërsa sistemet totalitare kolapsuan një pas një.
Revolucioni Flamingo është “greengrocer” i Havelit i cili më në fund vendosi të refuzojë të jetojë brenda gënjeshtrës. Refuzoi të jetë pjesë e kësaj performance të pushtetit të Ramës. Refuzoi ritualin e normalitetit të një politike jonormale, refuzoi frikën dhe propagandën. Në vend të gënjeshtrës, ata zgjodhën të vërtetën - zgjedhjet nuk janë fer, korrupsioni nuk është zhdukur, ekonomia nuk është mrekulli dhe mediat nuk janë të lira. Dhe të kritikosh pushtetin nuk është tradhti. Kësisoj ironikisht Revolucioni Flamingo dhe Edi Rama kanë ndërruar vendet. Në vitin 2026 Revolucioni Flamingo po bën atë që Edi Rama ka bërë në vitin 2013. Në vitin 2013 Rama ishte “greengrocer” i cili i refuzoi gënjeshtrat e Berishës dhe përqafoi të vërtetën e shqiptarëve. Në vitin 2013 ai i tregoi popullit shqiptar se mbreti është lakuriq. Sot në vitin 2026 Edi Rama është mbreti, ndërsa Revolucioni Flamingo është “greengrocer” që refuzon gënjeshtrat e tij. Disidenti që dikur ka luftuar pushtetin e korruptuar është tani në mbrojtje të tij.
Ka zëra publikë që duke shikuar çfarë po ndodh në Shqipëri thonë se Edi Rama do t’i mbijetojë Revolucionit Flamingo. Protestat nuk do të jenë fundi i tij. Mund të jetë e saktë që protestat nuk do ta shkatërrojnë politikisht Edi Ramën, por ato tanimë po bëjnë diçka shumë më të rëndë – ato po e zbulojnë Edi Ramën e vërtetë. Një Ramë i cili nga disidenti inspirues për liri është shndërruar në një tjetër autokrat ballkanik.
Kësisoj ironia e fatit politik të Edi Ramës është që ai ka arritur atë që ka dashur – ai ka ndryshuar Shqipërinë. Por ky ndryshim ka ardhur me një çmim – ky rrugëtim e ka ndryshuar edhe Edi Ramën. Kur në vitin 2013 populli shqiptar i dha Ramës çdo gjë, Rama i premtoi se do të jetë kryeshërbëtor i tyre. Sot kur populli i kërkon llogari, Rama ia jep gishtin e mesëm. Më nuk ka çfarë t’i ofrojë. Flamengoja është bërë buf.
Po ndodh...
Kasta kundër popullit
ide
Evolucioni i një flamengoje të gjatë
Rama& Berisha, përse i refuzojnë mesazhet e protestës?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128