Komentet për mbipeshën në rrjetet sociale e lënduan thellë! Selena Gomez: Terapia më ndihmoi të përballoj pasiguritë

10 Shtator 2025, 16:28 / SHOWBIZ ALFA PRESS

Komentet për mbipeshën në rrjetet sociale e lënduan

Këngëtarja dhe aktorja me famë botërore, Selena Gomez, ka ndarë një tjetër moment të vështirë me publikun. Në një intervistë për revistën Allure, ajo tregoi se një komentues në rrjete sociale e kishte quajtur “të shëndoshë”, gjë që i riktheu ndjenja të vjetra pasigurie. “Më thumboi një person që më tha se isha e shëndoshë. Pse më lind kjo ndjenjë sërish, duke më rikthyer pas në kohë?”, u shpreh artistja 32-vjeçare.

Selena tha se gjatë jetës ka luftuar shpesh me ndryshimet e peshës, një temë shumë e ndjeshme për të. Terapia, sipas saj, e ka ndihmuar të kuptojë arsyet pse ndjehet keq nga kritikat dhe si të mos i përjetojë ato thellë. “Kam mësuar të mos e lë veten të bllokohet nga komentet. Kam të drejtë të jem mirë ashtu siç jam,” theksoi ajo.

Një arsye e luhatjeve të peshës së saj është sëmundja lupus, me të cilën është diagnostikuar që në vitin 2014. Ilaçet që merr për këtë gjendje shkaktojnë mbajtje të ujit dhe shtim në peshë, ndërsa në periudha të tjera pesha i bie. Ajo iu nënshtrua kimioterapisë dhe madje një transplanti veshke, por nuk e ka fshehur kurrë betejën e saj shëndetësore.

Në të kaluarën, Gomez ka reaguar ashpër ndaj kritikëve. Në prill 2022 ajo tha: “Unë jam perfekte ashtu siç jam. Njerëzit gjithmonë do të ankohen.” Edhe në një video në TikTok më 2023, ajo nënvizoi se nuk i intereson më mendimi i të tjerëve, duke shtuar: “Do të preferoja të isha e shëndetshme dhe të kujdesesha për veten. Ilaçet e mia janë të rëndësishme për mua.”

Përveç lupusit, Selena ka folur hapur për betejat me depresionin, ankthin dhe çrregullimin bipolar, duke u bërë një zë i fortë për ndërgjegjësimin mbi shëndetin mendor. “Është e rëndësishme të flasim hapur, sepse këto gjendje nuk duhet të jenë tabu,” ka theksuar ajo.

 

Po ndodh...