Priscilla Presley dyshohet se ka fshehur bizhuteri në vlerë 25 milionë dollarë për të shmangur taksat

10 Tetor 2025, 14:04 / SHOWBIZ ALFA PRESS

Priscilla Presley dyshohet se ka fshehur bizhuteri në vlerë 25

Në Shtetet e Bashkuara janë publikuar detaje të reja lidhur me padinë ndaj Priscilla Presley, e cila po përballet me akuza të rënda për fshehje të bizhuterive me vlerë të madhe dhe kujtimeve të rralla të Elvis Presley-t. Ish-aktorja 80-vjeçare akuzohet gjithashtu se ka tentuar të marrë kontrollin e pasurisë familjare të Presley-ve, si dhe për heqje të parakohshme nga aparaturat që mbanin në jetë të bijën, Lisa Marie Presley.

Priscilla ishte e martuar me Elvis Presley për gjashtë vjet, nga viti 1967 deri më 1973. Marrëdhënia e tyre është përfolur shpesh, pasi ata u njohën kur ajo ishte vetëm 14 vjeçe, ndërsa Elvis 24. Megjithatë, Priscilla ka pohuar gjithmonë se nuk kanë pasur marrëdhënie intime deri në moshën 21-vjeçare.

Padia është ngritur nga ish-partnerët e saj të biznesit, Brigitte Kruse dhe Kevin Fialko, të cilët përmes një kërkese në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit kërkojnë dëmshpërblim prej të paktën 50 milionë dollarësh (43.2 milionë euro). Ata pretendojnë se Priscilla ka dashur të marrë nën kontroll fondacionin e vajzës së saj Lisa Marie dhe pasurinë e njohur “Graceland”, që është trashëgimia ikonike e Elvisit.

Sipas padisë, Priscilla ka shkelur kontratat dhe ka kryer mashtrim, duke qenë plotësisht e vetëdijshme se Lisa Marie ishte trashëgimtarja e vetme e pasurisë së Elvisit - dhe se ajo ka tentuar ta përjashtojë vajzën nga ky rol.

Një nga akuzat më të rënda lidhet me momentin tragjik të janarit 2023, kur Lisa Marie pësoi arrest kardiak në shtëpinë e saj në Kaliforni. Dokumentet e reja sugjerojnë se Priscilla ka kërkuar që aparatet që e mbanin në jetë vajzën të fikeshin vetëm pak orë pas pranimit në spital, diçka që ka shkaktuar reagime të forta në publik.

Gjithashtu, në padi thuhet se Priscilla ka fshehur një koleksion bizhuterish me vlerë mbi 25 milionë dollarë (21.6 milionë euro) nga autoritetet tatimore amerikane (IRS). Sipas revistës People, në formularët e dorëzuar më 4 maj 2023, ajo kishte deklaruar vetëm 6 mijë dollarë (5,100 euro) në bizhuteri - një shifër shumë më e ulët se vlera reale, për të shmangur pagesat tatimore.

Kruse dhe Fialko pohojnë se në kërkesë të vetë Priscillës kishin filluar të negocionin një marrëveshje shumëmilionëshe, nga e cila ajo do të përfitonte personalisht, si dhe disa anëtarë të tjerë të familjes Presley.

Koleksioni luksoz i bizhuterive mendohet të jetë ruajtur në një lokacion sekret, të menaxhuar nga Angie Marchese, drejtuese e arkivave të Graceland-it. Ish-partnerët e biznesit pretendojnë se Priscilla i ka larguar menjëherë nga puna sapo ka kuptuar se ata kishin ndërmend të informonin autoritetet tatimore për vlerën reale të bizhuterive.

Nga ana tjetër, avokati i Priscilla Presley, Marty Singer, i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si “absurde dhe plotësisht të pabazuara”.

“Këto pretendime janë një përpjekje e trishtuar dhe dashakeqe për të njollosur reputacionin e një gruaje 80-vjeçare,” – ka deklaruar ai. Singer shtoi gjithashtu se padia është një manipulim i qëllimshëm, i cili nuk lidhet me proceset aktuale ligjore ndaj Kruse dhe Fialko, të cilët sipas tij “janë vetë përgjegjës për përvetësimin e fondeve dhe abuzimin me një person të moshuar”. 

 

Po ndodh...