Skandali financiar trondit pushtetin e Erdogan, qindra mijëra investitorë rrezikojnë paratë

Një skandal i madh financiar në Turqi po shkakton tronditje në tregjet e vendit dhe po prek edhe figura të lidhura me partinë në pushtet, AKP. Autoritetet kanë urdhëruar likuidimin e 131 fondeve të investimeve, me asete të vlerësuara rreth 16-18 miliardë dollarë, ndërsa rreth 456 mijë investitorë janë të ekspozuar ndaj krizës. Çështja ka marrë edhe dimension politik, pasi në hetim janë përmendur persona me lidhje me AKP-në. Ish-ministrja dhe nënkryetarja e partisë, Fatma Betül Sayan Kaya, ka dhënë dorëheqjen dhe i janë ngrirë asetet, pas akuzave të opozitës se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar ndjeshëm nga investimet përpara kolapsit. Kaya i ka mohuar akuzat.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se personat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme do të detyrohen të kthejnë paratë. Deri tani, pesë nga 85 personat e ndaluar në kuadër të hetimit kanë kthyer fondet në llogarinë speciale të hapur nga qeveria. Në qendër të skandalit janë fonde që investuan në aksione me kapital të vogël, duke nxitur rritje të forta të çmimeve dhe më pas shitje masive. Pas ndryshimit të rregullave në fund të gushtit, investitorët nisën të tërheqin paratë, ndërsa disa fonde nuk arritën të përballonin kërkesat për likuidim. Autoritetet turke e kanë krahasuar skemën me një mashtrim të tipit “Ponzi”.
Tronditja është reflektuar edhe në Bursën e Stambollit, e cila ka regjistruar rënie të ndjeshme. Në dy javët deri më 25 shtator, indeksi kryesor humbi mbi 11%, ndërsa dhjetëra aksione pësuan rënie të forta. Ministri i Financave Mehmet Şimşek ka deklaruar se situata nuk përbën rrezik sistemik dhe se problemi është izoluar. Ndërkohë, autoriteti turk i tregjeve të kapitalit ka nisur pagesa të ndërmjetme, deri në 1 milion lira për investitor për secilin fond, ndërsa shuma përfundimtare që do të rikuperohet do të varet nga procesi i likuidimit.
Skandali po ngre gjithashtu pikëpyetje për mbikëqyrjen e tregjeve financiare dhe besueshmërinë e Turqisë si destinacion për investitorët e huaj. Pavarësisht se nuk raportohet një kërcënim i menjëhershëm për sistemin financiar, pasojat e krizës mund të zgjasin përtej përfundimit të hetimeve dhe likuidimit të fondeve.
Po ndodh...
Pasqyra ku nuk shihet asgjë
ide
Kur humori bëhet alibi dhe një përgjigje Filip Çakulit
Faik Konica, Njeriu-Histori dhe Historia-Njeri
Pse Rama nuk jep dorëheqjen?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
