Kujdes! Ruani fëmijët dhe lekët- Ja cilat janë kërcënimet që bëhen në lojrat on line

21 Tetor 2022, 12:49 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Kujdes! Ruani fëmijët dhe lekët- Ja cilat janë

Ekspozimi i pakontrolluar i fëmijëve në internet, shpesh është ndeshur me pasoja të rënda duke filluar që nga kërcënimet e deri të sfidat e lojrave të ndryshme, që për fat të keq kanë pasur fund tragjik. Përfaqësues të qendrave për mbrojtjen e fëmijëve bëjnë apel për kontroll të vazhdueshëm nga ana e prindërve, ashtu sikurse në jetën reale edhe në atë virtuale të fëmijës. Ata kërkojnë ndërhyrje në Ligjin për të Drejtat e Fëmijës duke thënë se ka nevojë urgjente për shtesa dhe ndryshime për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Ja me çfarë përballen fëmijët në jetën e tyre virtuale....

Sipas Altin Azizaj, Drejtor i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, denoncimet që janë bërë kohët e fundit në iSIGURT.al janë: Duke filluar nga kërkesa që kanë të bëjnë me dhënie lekësh, apo numri të kartës së kreditit të prindit, deri tek kërcënimet më serioze, kur fëmijës i kërkohet të kryej një veprim duke e kërcënuar me foto intime që do i tregohet prindit.

Kujdes! Ruani fëmijët dhe lekët- Ja cilat janë

Në shumë raste, sipas Azizajt, kjo ka qëlluar e gënjeshtërt, por duke qenë se fëmijët nuk janë të përgatitur për t'u përballur me këtë realitet mashtrues dhe nga ana tjetër kanë frikë t'ju tregojnë prindërve, ata vendosen përpara dilemave të mëdha e ndonjëherë kanë raportuar se edhe duan të vetëvriten.

Intervista e plotë:

Në çfarë situate ndodhemi? A janë shtuar rastet e denoncimeve për kërcënime on line të fëmijëve?

Në të vërtetë rastet me lojra të rrezikshme fillojnë të raportohen vetëm kur një lojë është bërë vërtetë virale dhe kjo ndodh me periudha të caktuara. Thuajse cdo vit në iSIGURT.al - që është Linja Kombëtare për Internet të Sigurt - na raportohet të paktën një lojë dhe kjo mund të zgjasë për rreth 1-2 muaj dhe më pas ndalon.

Për vitin '22 kemi patur shumë pak raportime për lojëra të tilla dhe kjo vetëm në fillim të vitit. Problemi i këtyre lojrave, është se Shqipëria ka shumë pak mundësi për t'i ndaluar ato, për shkak se mungon një ligj që do të rregullonte përmbajtjen e tyre. Ndaj i mbetet detyrë e prindërve që të kontrollojnë se cfarë lojrash luajnë fëmijët dhe a janë të dëmshme apo të përshtatshme ato për fëmijët.

Cilat janë grupmoshat më të prekura?

Nga të dhënat që iSIGURT.al kemi mbledhur nga viti 2015 e deri më sot, grup-mosha më e prekur është 10-14 vjec, djem dhe vajza. Me kalimin në adoleshencë prioritetet ne shohim që prioritetet ndryshojnë dhe fëmijët fillojnë të aksesojnë faqe të tjera, përgjithësisht Insta, Tik-tok, Snapchat dhe Youtube, ndërsa ata që janë më të vegjël janë më të fokusuar tek lojrat, ndaj edhe raportojnë në një masë më të madhe.

Çfarë lloj kërcënimesh bëhet fjalë?

Në shumicën e rasteve nuk bëhet fjalë për kërcënime, por më shumë për sfida, që ose moderatorët ose persona specifikë në kontroll të lojës, ju bëjnë fëmijëve. Në pak raste ka ndodhur që fëmijët të jenë kërcënuar, duke filluar nga kërkesa që kanë të bëjnë me dhënie lekësh, apo numri të kartës së kreditit të prindit, deri tek kërcënimet më serioze, që nëse nuk bën këtë apo atë veprim, ne kemi foto të tua intime dhe do tia nisim prindërve të tu.

Në shumë raste kjo ka qëlluar e gënjeshtërt, por duke qenë se fëmijët nuk janë të përgatitur për t'u përballur me këtë realitet mashtrues dhe nga ana tjetër kanë frikë t'ju tregojnë prindërve, ata vendosen përpara dilemave të mëdha e ndonjëherë na kanë raportuar se edhe duan të vetëvriten.

Kemi trajtuar disa situata të tilla ekstreme ku fëmijët kanë qenë tepër të traumatizuar dhe na është dashur që të ndërtojmë besimin tek ata se asgjë nuk do të ndodhë dhe që gjithnjë kur ka ngjarje të tilla prindërit duhen vendosur në dijeni. Më pas kemi punuar edhe me prindërit - pasi në shumë raste - ne shohim që ata thjesht i kanë dhënë një celular të shtrenjtë në dorë fëmijës së tyre, po nuk e kanë informuar as për sigurinë e as se cfarë të dhënash duhet të ndajë ose jo online me të panjohur.

Cilat janë mangësirat që ka ligji për mbrojtjen e fëmijeve dhe çfarë duhet bërë?

Padiskutim që ka shumë mungesa në ligj dhe në politikat publike. Të gjitha vendet e BE-së gjatë viteve të fundit kanë avancuar goxha në mbrojtje të fëmijëve, jo vetëm nga materialet e paligjshme, dhunë seksuale online etj, por edhe në rregullimin e përmbajtjes së papërshtatshme.

Në Shqipëri, kjo nuk ka ndodhur dhe pa patur rregulla të forta ligjore, jo vetëm kompanitë në Shqipëri por edhe ato jashtë vendit, gjejnë një mjedis që mund të abuzojnë me fëmijët tanë shumë lehtësisht. Në këtë kuadër mund të them se Kodi Penal dhe Ligji për të Drejtat e Fëmijës kanë nevojë urgjente për shtesa dhe ndryshime për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në jetën e tyre virtuale.

Një shprehje e njohur thotë: Ne kujdesemi për fëmijët tanë në jetën e përdithshme, atëhere pse nuk bëjmë të njëjtën gjë për jetën e tyre virtuale? Përtej ligjeve, Shqipëria ka nevojë urgjente për një plan kombëtar për sigurinë dhe mbrojtjen online për fëmijët, pasi padituria e autoriteteve dhe papërgatitja e tyre në fushën e teknologjisë po ekspozon gjithnjë e më shumë fëmijët në një botë virtuale të pasigurt dhe shfrytëzuese për ta!./ Nertila Doko

Kujdes! Ruani fëmijët dhe lekët- Ja cilat janë

 

Po ndodh...