Çalhanoglu drejt largimit, e tundon Arabia Saudite

13 Qershor 2025, 11:15 / SPORT ALFA PRESS

Çalhanoglu drejt largimit, e tundon Arabia Saudite

E ardhmja e Hakan Çalhanoglu është gjithnjë e më e pasigurt. Mesfushori turk, që prej katër vitesh është shtylla e repartit qendror tek Interi, po shqyrton seriozisht ofertat marramendëse që vijnë nga Arabia Saudite.

Në moshën 31-vjeçare dhe pas një cikli të suksesshëm nën drejtimin e Simone Inzagit, që përfshiu dy finale të Ligës së Kampioneve, Çalhanoglu ndodhet përpara një vendimi kyç për karrierën e tij, të qëndrojë në Europë për të konkurruar në nivelet më të larta apo të pranojë sfidën arabe për përfitime financiare të jashtëzakonshme. Pavarësisht se rinovoi kontratën me Interin pas finales së humbur në Stamboll ndaj Mançester Sitit dhe është i lidhur me klubin deri në vitin 2027, Çalhanoglu nuk ka mbyllur derën për një largim.

Me një nga pagat më të larta në skuadër, kalimi i tij në Lindjen e Mesme do të përfaqësonte një lehtësim për bilancin financiar të Interit, por mbi të gjitha një fitim i pastër pasi turku erdhi me parametër zero. Klubi zikaltër kërkon 40 milionë euro për kartonin e tij, një shifër që për klubet arabe është mëse e përballueshme. Ndërkohë, drejtuesit e Interit nuk po rrinë duarkryq.

ALTERNATIVA- Marota dhe Ausilio kanë hedhur sytë nga Nikolo Rovela, organizatori i lojës te Lacio dhe pjesë e kombëtares italiane. Ish-lojtari i Xhenoas, Monzës dhe Juventusit është përzgjedhur si pa suesi ideal i Çalhanoglusë, por rruga për ta sjellë në Milano është e vështirë. Lacio e ka deklaruar disa herë si të pashitshëm dhe pritet ta blejë përfundimisht këtë verë pas huazimit dyvjeçar nga Juventusi. Kontrata e tij përmban një klauzolë largimi prej 55 milionë eurosh, një shumë që do të jetë vendimtare në tratativat mes klubeve.

Interi, për të siguruar shërbimet e tij, duhet ta aktivizojë atë klauzolë, ndërsa Lacio do të tentojë rinovimin dhe mbajtjen e lojtarit. Vendimi final do të mbetet në dorën e vetë Rovelës, i cili është në qendër të një vere të nxehtë merkatoje dhe mund të jetë e ardhmja e mesfushës zikaltër. Në një verë të karakterizuar nga sfida financiare dhe nevoja për rinovim, Interi duhet të zgjedhë me kujdes, mes stabilitetit të Çalhanoglusë dhe premtimit të së ardhmes që përfaqëson Rovela.

Po ndodh...

ide