Egnatia dhe Dinamo zbresin sot në fushë, kërkojnë kualifikimin për të bërë histori në Conference League
Arena Kombëtare do të jetë sot skena e një sfide vendimtare për Dinamo City-n, që kërkon të përmbysë humbjen 2-1 të pësuar në Split dhe të mbajë gjallë ëndrrën për kualifikim në Europë.
Ndeshja e kthimit ndaj Hajdukut të Splitit do të nisë në orën 20:45 dhe pritet të zhvillohet në një atmosferë të zjarrtë.
Skuadra e Shkëlqim Muçës ishte shumë pranë një rezultati pozitiv në takimin e parë, duke kaluar fillimisht në avantazh me një gol spektakolar të Dejvi Bregut, por në fund u detyrua të dorëzohej përballë përmbysjes së vendasve.
Sfida nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi prania e madhe e tifozëve kroatë do të krijojë një atmosferë të veçantë.
Më shumë se 1000, e ndoshta deri në 2000 tifozë të Hajdukut pritet të jenë në shkallët e stadiumit, duke e bërë skuadrën mike të ndihet si në shtëpi.
Megjithatë, Dinamo City ka treguar se di të luftojë, sidomos në ndeshjet ku nuk ka asgjë për të humbur.
Ndërsa po sot në fushë zbret edhe Egnatia.
Në orën 21:00, në 'Egnatia Arena', rrogozhinasit zbresin në fushë për të luajtur ndoshta ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përballet me Olimpijan e Ljubljanës në ndeshjen e kthimit.
Pas barazimit 0-0 në Slloveni, gjithçka është e hapur dhe një fitore minimale do të mjaftonte për ta dërguar kampionen e Shqipërisë më thellë se kurrë më parë në kompeticionet europiane.
Egnatia ka kaluar momente të mëdha gjatë viteve të fundit: titulli kampion, debutimi në arenën ndërkombëtare dhe kalimi i disa tureve kualifikuese.
Megjithatë, kjo përballje shënon një kapitull të ri: mundësinë për të kaluar nga statusi i një surprize simpatike, në një klub me peshë dhe emër në futbollin kontinental.
Barazimi në transfertë ishte një hap i madh, sidomos pas zhgënjimit të eliminimit nga Breidablik në Ligën e Kampioneve.
Tani, vetëm 90 minuta e ndajnë Egnatian nga një arritje që deri pak kohë më parë dukej e paarritshme.
Modeli është i qartë: një fitore 1-0, si ato ndaj Breidablik dhe Dinamo Minsk, rezultat që tashmë është kthyer në “firmën” e skuadrës në Europë.
Në këtë mbrëmje vendimtare, çdo aksion, çdo duel dhe çdo gol ka peshën e historisë.
Për lojtarët, stafin dhe tifozët, kjo është më shumë se një ndeshje futbolli, është mundësia për të shkruar me gërma të arta emrin e Egnatias në librin e madh të futbollit shqiptar dhe europian.
Tetova dhe djemtë e tij e dinë mirë: sot, Rrogozhina mund të bëjë historinë.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
