Ky Europian pritet të jetë më i veçanti, më spektakolari

Me Shqipërinë që është në “grupin e zjarrit”, Kampionati Europian këtë vit garanton spektakël. Audienca pritet të jetë maksimale, jo vetëm në fazën e grupeve, por deri në finalen e madhe. Bizneset do ta shfrytëzojnë këtë vëmendje, duke ndarë buxhetet e marketingut, teksa pritet një audiencë rekord, shkruan Ornela Liperi në Monitor.
Kur Gjermania fitoi Kampionatin Botëror në vitin 2014, rrugët e qyteteve të Shqipërisë, veçanërisht Shkodra, u mbushën plot me tifozë që dolën të festonin me flamuj e brohoritma e veshje të kombëtares gjermane.
Për një të huaj do të ishte e pamundur të dallonte nëse ishte në Gjermani, apo në një vend të vogël që tradicionalisht është shquar për tifozerinë e lartë për skuadrat e mëdha, në garat europiane apo botërore, përfshirë Brazilin, Italinë, Holandën, Anglinë, apo dhe Spanjën nga brezi më i ri.
“Historikisht ne jemi bërë tifozë me skuadrat e forta”, pohon Alban Xhihani, komentues sportiv. “Kampionati Botëror dhe ai Europian janë evenimente të veçanta në të gjithë rruzullin, që zhvillohen një herë në katër vjet, e kanë një audiencë të lartë, pasi kthehen në një festë traditë për të gjitha vendet, edhe ato që nuk janë pjesëmarrëse”, thotë ai.
Këtë vit, teksa Kampionati Europian po afrohet, interesi është shumë më i lartë edhe për një arsye tjetër. Për herë të dytë në histori, Shqipëria ka arritur që të kualifikohet në “Euro 2024”.
Një skuadër me lojtarë të fortë, me ndeshje cilësore e fitore të pastra, që arriti të kualifikohej me meritë që një ndeshje para se të përfundonin eliminatoret, i ka emocionuar të gjithë.
Këto emocione pritet të kulmojnë me fillimin e Europianit që do të zhvillohet në Gjermani, nga data 14 qershor deri më 14 korrik 2024.
“Tifozët janë si kripa në gjellë. Pa ta nuk do të kishin kuptim ndeshjet. P.sh., goli i Hasanit me Poloninë nuk do të kishte atë lezetin, por të mos ishte për tifozerinë”, – thotë komentuesi sportiv që edhe vetë u ngjir duke bërtitur për goditjen spektakolare, që zhbllokoi rezultatin ndaj një rivali direkt për të qenë në kryesim të grupit, në prani të 22 mijë tifozëve që shpërthyen në stadiumin “Air Albania”.
“Tifozët shqiptarë dinë të sjellin atmosferë dhe e mbushin stadiumin plot në çdo kohë, edhe në ditë me shi”, thotë z. Xhihani. “Kur ata bënë tifo deri në çmenduri në Shkodër në 2014 dhe qyteti u vesh me ngjyrat e Gjermanisë, imagjino se çfarë do të bëjnë për kombëtaren shqiptare”.
Grupimet e “Tifozave e Kuq e Zi”, “Plisat”, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pritet të jenë më të zjarrtë se kurrë.
Vendndodhja e kampionatit është një element shtesë në favor të Kombëtares. “Këtë herë, ndryshe nga Franca, jemi në zemër të gjithë të shqiptarëve që kanë emigruar dhe janë në Gjermani, apo atyre që do vijnë nga vendet përreth. Kjo e bën këtë kompeticion më të veçantë sa u takon tifozerisë dhe tifozëve”.
Komentuesi është i bindur se ndjekja në stadiume dhe audienca në Televizionin Klan, që ka ekskluzivitetin e transmetimit, do të jetë maksimale gjatë gjithë muajit. “Kur të luajë Shqipëria nuk do të pipëtijë as miza.
Do të jetë spektakël, edhe për faktin që në grup kemi skuadra me emër si Italia, me të cilën historikisht ka qenë gjysma e Shqipërisë, apo Spanja që ka shkuar historinë, apo dhe Kroacia, skuadra e fortë e Luka Modrić. Edhe sikur t’i zgjidhje me dorë nuk do të na binte një grup me kaq madhështi”.
Të paktën për 10 ditë, vëmendja maksimale do të jetë te kombëtarja, ngjyrat kuqezi të së cilës pritet t’i bashkojnë e t’i bëjnë të gjithë për vete.
Edhe pas Shqipërisë, që shpresojmë të ecë sa më shumë, faza me eliminim do të bëjë bashkë skuadrat më të mira, do të rritet gara e tifozët do të kthehen me skuadrat e tyre të zemrës, që ndoshta do t’i lënë pak mënjanë në fillim.
“E sigurt është që ky Europian do të jetë më i veçanti, më spektakolari dhe më i ndjekuri deri tani”, thotë z. Xhihani.
Po ndodh...
Të shtunën molotov, të enjten pazar!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

