Lamine Yamal, e ardhmja e Barcelonës, Deco zbulon: PSG ka pyetur për të, Reali jo

22 Maj 2025, 12:44 / SPORT ALFA PRESS

Lamine Yamal, e ardhmja e Barcelonës, Deco zbulon: PSG ka pyetur për

Lamine Yamal është emri më i madh i sezonit dhe qendra e vëmendjes në ambientin ‘blaugrana’.

‘Ylli’ 17-vjeçar pritet të rinovojë kontratën me Barcelonën këtë verë, sapo të mbushë moshën madhore më 13 korrik.

Këtë e konfirmoi drejtori sportiv i klubit, Deco, gjatë një interviste për radion katalanase RAC1:

Deco u shpreh me entuziazëm për talentin e jashtëzakonshëm të Lamine Yamal:

"Ka një pjekuri që nuk është normale për moshën që ka. Kam edhe vetë një djalë në atë moshë dhe e di sa e rrallë është një gjë e tillë. Lamine ka vetëbesim dhe cilësi të jashtëzakonshme, por nuk duhet harruar se ai është vetëm 17 vjeç."

Sipas drejtuesit sportiv, Lamine nuk ka bërë asnjë kërkesë për të qenë lojtari më i paguar i skuadrës:

"Kjo nuk është e vërtetë. Ai thjesht do të jetë i lumtur këtu. Ka nevojë të jetojë moshën që ka dhe për këtë duhet të ndihet mirë e i qetë.

Futbolli duhet të jetë i drejtë dhe ai meriton një kontratë që i korrespondon me nivelin që ka, jo domosdoshmërisht më e larta në ekip."

Lidershipi i Lamine Yamal është i padiskutueshëm, ashtu si edhe ndikimi i tij në sezonin aktual, duke shkëlqyer në ndeshje të mëdha ndaj Real Madridit, Atlético Madridit dhe Interit të Milanos. Interesimi për të ka qenë i madh, sidomos që nga sezoni i kaluar, me shumë klube evropiane që e kanë ndjekur me vëmendje.

"Po, sezonin e kaluar kishte interes. Këtë sezon ende jo, sepse qëllimi ynë është ta mbajmë. Nuk duam të dëgjojmë oferta, por PSG ka pyetur. Real Madridi, jo," konfirmoi Deco.

Në lidhje me krahasimet me legjendat e klubit si Ronaldinho apo Messi, Deco tha:

"Është normale. Edhe unë si tifoz jam emocionuar me Ronaldinhon, me Messin. Lamine ka një vetëbesim që e kanë vetëm lojtarët e mëdhenj.

E habitshme është qetësia që ka në stadiume të mëdha si ‘San Siro’ apo ‘Santiago Bernabéu’."

Deco e konsideron rinovimin e Lamine si "blerjen më të mirë të verës" për Barcelonën dhe nuk e fsheh dëshirën që ta shohë një ditë duke fituar Topin e Artë:

"Unë dua që ta fitojë Topin e Artë. Kemi disa lojtarë që mund ta arrijnë atë nivel dhe Lamine është pa dyshim një prej tyre. Raphinha ka bërë një sezon spektakolar gjithashtu.

Por sigurisht që do të më pëlqente që një lojtar i Barcelonës të fitojë këtë trofe."

Barça është e vendosur të ndërtojë të ardhmen e saj rreth një talenti që po mahnit botën dhe që ka ende shumë për të dhënë. Rinovimi i Lamine Yamal pritet të jetë një nga lajmet më të rëndësishme të verës në "Camp Nou".

 

Po ndodh...