Milani, gati ta përmirësojë ofertën për Pulisic. Klubi synon rinovimin deri në vitin 2030

21 Maj 2025, 10:10 / SPORT ALFA PRESS

Milani, gati ta përmirësojë ofertën për Pulisic. Klubi

Milani duhet të vazhdojë t’i mbajë yjet e tij, por këtë gjë do ta ketë më të vështirë pa pjesëmarrje në Kupat e Europës. Kontaktet me përfaqësuesit e Christian Pulisic janë të shpeshta, ndërsa amerikanit i është dhënë një rol kyç në projektin e ri të “Djallit”.

Në muajt e fundit është përgatitur një draft marrëveshjeje për rinovimin deri në vitin 2029, por ende nuk është arritur marrëveshje përfundimtare, megjithëse oferta përfshin rritje të pagës nga 4 në 5 milionë euro neto në vit.

Sidoqoftë, asnjë dyshim nuk ekziston, pasi drejtuesit e klubit e vlerësojnë shumë dhe planifikojnë t’i paraqesin një ofertë të re që do të zgjatet deri në vitin 2030. Lajmin e bën të ditur “Gazzetta dello Sport”.

Atmosfera te Milani nuk është e mirë, këtë e dëshmojnë edhe fjalët e trajnerit Sergio Conceicao pas humbjes 3-1 ndaj Romës, në një intervistë për DAZN: “Është e vërtetë, secili duhet të bëjë vlerësimet për punën e vet. Unë jam kërkues me veten time, secili do të gjykojë atë që është bërë.

Kam parë shifrat: që nga ardhja ime deri sot ishim në zonën e Champions League. Kemi fituar një titull dhe kemi luajtur një finale tjetër, por më pas gjithçka është ndaluar nga detajet si përjashtimi me karton të kuq në Zagreb dhe ndëshkime të tjera. Ky është sezon që nuk ka shkuar mirë për një skuadër historike si Milani, ndaj secili duhet të bëjë vetëvlerësimin e duhur.

A ishte një sezon i mirë? Natyrisht që jo. Ndeshja në ‘Olimpico’ përfaqëson saktësisht atë që kam përjetuar këto pesë muaj: shumë episode negative, të vogla e të mëdha. Sigurisht që një klub si Milani nuk mund të qëndrojë jashtë Europës, nuk mund të përfundojë kështu në renditje.

E dimë të gjithë. Secili prej nesh, në aspekt personal dhe profesional, duhet të kuptojë çfarë ka bërë mirë dhe çfarë jo, dhe të marrë përgjegjësitë e veta”.

 

Po ndodh...