Nuk fitoi Shqipëria e hartës, por Shqipëria etnike/ Detajet që elektrizuan trojet shqiptare

13 Tetor 2023, 16:20 / SPORT ROGERT BLLOSHMI

Nuk fitoi Shqipëria e hartës, por Shqipëria etnike/ Detajet
Një paraqitje historike e kombëtares shqiptare mbrëmjen e djeshme, çoi në peshë zemrat e mbarë shqiptarëve kudo që ishin. 

Shqipëria mundi 3-0 Republikën Çeke, një ekip ky që pretendonte të ruante kreun e grupit, ashtu si dhe Polonia, por që të dyja këto ekipe, janë tashmë të gjunjëzuara përballë kombëtares kuqezi.

Fitorja 3-0 solli një atmosferë të madhe në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë.
Ajo që vlen për tu thënë është se mbrëmë fitoi Shqipëria Etnike, pasi dy golashënuesit Jasir Asani dhe Taulant Seferi janë nga Shkupi dhe Kumanova. Po ashtu kombëtarja kishte portën e blinduar nga një Prishtinali si Ertrit Berisha. Kapiteni i kombëtares Berat Djimsiti është me origjinë nga Lugina.

Ylber Ramadani është nga Ferizaj, Mirlind Daku nga Gjilani, Arlind Ajeti nga Podujeva, Arbnor Muja nga Mitrovica, kurse Ferderik Veseli ka lindur në Zvicër, por prindërit kanë lindur në Kosovë.

Edhe Nedim Bajrami që i shënoi një super gol Republikës Çeke, në ndeshjen e parë është nga Tetova.

E më pas harta kompletohet me shumë qytete të Shqipërisë. Myrto Uzuni është nga Berati, Kristjan Asllani nga Elbasani, Sokol Cikalleshi nga Kavaja, Elseid Hysaj nga Shkodra, kurse Mario Mitaj nga Malësia.

Ernest Muçi dhe Klaus Gjasula janë nga Tirana, kurse Keidi Bare dhe Odise Roshi nga Fieri. I lindur në Greqi, por që luan me kombëtaren është dhe gardiani i portës Tomas Strakosha, djali i Foto Strakoshës.

Po ashtu në greqi ka lindur dhe Enea Mihaj që sot luan me kombëtaren kuqezi.
Nuk mund të harrojmë dhe fenomenin Armando Broja nga Shkodra.

Ajo që vihet re është përfaqësimi nga të gjitha trojet dhe krijimin e një kombëtares së plotë në kufijtë e saj të vërtetë.

Fitorja e Shqipërisë nuk kishte si të mos i ndizte dritat në të gjitha qytetet ku flitet shqip dhe festohet kuqezi.

Për ironi të fatit Europa pa mbrëmë, që dhe Kosova trimufoi 3-0 ndaj Andorës për ta kompletuar deri në fund festën kuqezi që mbretëroi futbollin europian./Alfapress.al

 

Po ndodh...