Rikuperohet Thuram, francezi në dispozicion të Chivu-t për finalen e Kupës

12 Maj 2026, 12:23 / SPORT ALFA PRESS

Rikuperohet Thuram, francezi në dispozicion të Chivu-t për

Interi vazhdon përgatitjet për finalen e madhe të Kupës së Italisë ndaj Lazio, me një lajm pozitiv që vjen nga kampi zikaltër. Pas shqetësimit muskulor të pësuar në stërvitjen e së hënës, Marcus Thuram është rikthyer të punojë me grupin në seancën e fundit përgatitore dhe optimizmi për praninë e tij në finalen e nesërme është rritur ndjeshëm. Sulmuesi francez tashmë ka shumë gjasa të jetë i gatshëm për sfidën e së mërkurës.

Megjithatë, dilemat për formacionin mbeten të hapura. Pyetja kryesore është se kush do të luajë në sulm përkrah Lautaro Martínez. Trajneri rumun vazhdon të tregohet i kujdesshëm me lojtarët që nuk janë në maksimumin fizik dhe për këtë arsye Bonny mbetet alternativa më e mundshme për repartin ofensiv. Ndërkohë, Pio Esposito është rikthyer vetëm së fundmi në stërvitje me grupin dhe sot ka zhvilluar një program të diferencuar.

Edhe mesfusha sjell pikëpyetje për zikaltërit. Mungesa e Hakan Çalhanoğlu do të ndihet shumë, edhe pse mesfushori turk do të jetë pranë skuadrës në Romë. Në regji pritet të luajë Zielinski, me Barellan në krah, ndërsa balotazhi mbetet i hapur mes Sucic dhe Mkhitaryan. Një vendim që trajneri pritet ta marrë vetëm në momentet e fundit para ndeshjes.

Në portë duket se do të konfirmohet Josep Martinez, që pritet të fitojë balotazhin ndaj Sommer për një tjetër ndeshje vendimtare. Përpara tij do të rreshtohen Bisseck, Akanji dhe Bastoni, ndërsa në krahë rikthehen titullarët Dimarco dhe Dumfries. Interi kërkon trofeun, për të kompletuar një sezon tepër të suksesshëm për zikaltrit, që pasi fituan titullin e 21 në histori kërkojnë tashmë edhe trofeun e Kupës së Italisë.

Po ndodh...

ide