Shpërthen Bernardo Silva: Kush është i plakur te Siti? Cili e thotë nuk merr vesh nga futbolli, do t’ua vërtetojmë

1 Prill 2025, 15:54 / SPORT ALFA PRESS

Shpërthen Bernardo Silva: Kush është i plakur te Siti? Cili e

Bernardo Silva ka reaguar ashpër ndaj kritikëve të Mançester Sitit, të cilët e kanë etiketuar ekipin si të plakur këtë sezon, duke thënë se ata “nuk kuptojnë asgjë rreth futbollit” dhe ka premtuar se do t’i bëjnë ata të “kthejnë mbrapsht fjalët e tyre”.

Mesfushori 30-vjeçar ka thënë se ai dhe shokët e tij të skuadrës do të dëshmojnë se janë ende në gjendje për të rikthyer Sitin në majën e futbollit pas një sezoni zhgënjyes. Mosha e ekipit të Mançester Sitit, ku shumica e lojtarëve janë në të tridhjetat, është përmendur shpesh si një problem këtë sezon, veçanërisht pas serisë së vetëm një fitoreje në 13 ndeshje në fund të vitit 2024.

Megjithatë, ata treguan se kanë ende aftësinë për të konkurruar, duke përmbysur Bornmëthin në transfertë të dielën dhe duke siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës FA. Tifozë të Sitit shohin me shqetësim një mesfushë me Ilkai Gyndoan (34 vjeç), Kevin De Bryjne (33) dhe Bernardo Silva dhe Mateo Kovaçiç (të dy 30- vjeçarë), por ata dëshmuan se kanë ende atë që duhet për t’u përballur me një nga skuadrat më fizike të Premier Ligës. Bernardo nuk pranoi se ky ekip i ka kaluar ditët më të mira, kur u pyet pas ndeshjes.

“Ky është mendimi i atyre njerëzve që nuk e kuptojnë lojën”, tha portugezi. Ai kërkoi të dinte se cilët janë lojtarët në fjalë, duke iu drejtuar gazetarëve: “Më thoni, cili lojtar? Më jepni emra” dhe pastaj e mbrojti grupin që ka fituar gjithçka që mund të fitohet në “Etihad”: “Unë jam 30 vjeç, Kovaçiç është 30 vjeç. Nuk po flasim për djem që janë 36 vjeç. Ne kemi 4-5 muaj të dobët dhe papritmas jemi të plakur, nuk jemi mjaft të mirë? Në tetë vitet e fundit, ne kemi fituar gjashtë herë Premier Ligën dhe për katër muaj të këqij, ne jemi të plakur? Ata janë njerëz që nuk kuptojnë lojën, nuk kanë luajtur ndoshta kurrë dhe ndoshta nuk kuptojnë asgjë rreth futbollit. Ne do t’i provojmë që e kanë gabim. Kemi kohë për këtë”, shtoi ai. “Jemi pak vonë për këtë sezon, por do të kthehemi, mos u shqetësoni”.



Po ndodh...