Tensione të forta para Kuvendit, protestuesit përplasen me Policinë dhe sulmojnë automjetin e Albana Koçiut, “Shqiponjat” shkojnë dhe vendosen kordon

30 June 2026, 12:24 / AKTUALITET ALFA PRESS

Situata jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë është tensionuar ndjeshëm këtë të hënë, ku protesta e qytetarëve është shoqëruar me përplasje me forcat e Policisë së Shtetit dhe incidente të shumta, ndryshe nga protestat e zhvilluara përgjatë 31 ditëve të fundit.

Për të parandaluar bllokimin e hyrjes kryesore të Parlamentit, Policia e Shtetit ngriti një kordon sigurie dhe u kërkoi protestuesve të lirojnë menjëherë hyrjen e Kuvendit, me qëllim garantimin e lëvizjes së deputetëve dhe zhvillimin normal të seancës plenare.

Pas urdhrit të policisë për zhbllokimin e hyrjes, situata u përshkallëzua ndërsa efektivët nisën të shtyjnë protestuesit për të hapur rrugën. Kjo solli përplasje fizike dhe verbale mes qytetarëve dhe forcave të rendit.

Në kulmin e tensioneve, protestuesit qëlluan me vezë automjetet e disa deputetëve dhe ministrave gjatë hyrjes dhe daljes nga ambientet e Parlamentit, përfshirë këtu edhe automjetin e zv.kryeministres Albana Koçiu.

Për shkak të situatës, forca të shumta të Policisë së Shtetit  dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë blinduar perimetrin e Kuvendit, duke mbajtur nën kontroll hyrjet dhe daljet. Madje siç shihet dhe nga pamjet e mëposthme disa prej deputetëve kanë mbetur të “bllokuar” në ambientet brenda Kuvendit ndërkohë që policia është duke ngritur kordonë me qëllim që ligjvënësit të kalojnë.

Po ndodh...

ide