Trafikuan 7.5 tonë kokainë/ Operacion në Ekuador, arrestohen 18 persona, mes tyre një shqiptar
Një opercacion i gjerë i institucioneve ligjzbatuese ekuadoriane dhe Europol, ka çuar në arrestimin e 18 personave mes të cilëve edhe një shqiptar. Sipas autoriteteve ekuadoriane, operacioni i koduar “Gran Fénix 0043-Azkaban”, i zhvilluar më 8 korrik, çmontoi një organizatë që dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej 225 milionë dollarësh në tregun e paligjshëm.
Mes të arrestuarve është shtetasi shqiptar P. D., për të cilin autoritetet pretendojnë se vepronte si koordinator dhe përfaqësues i organizatave kriminale evropiane në Ekuador.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ndërmjetësonte bashkëpunimin mes grupeve kriminale të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve të trafikut në Evropë, duke koordinuar dërgesat e kokainës.
Në pranga përfundoi edhe shtetasi polak Jakimec Tomasz, ndaj të cilit ishte lëshuar më herët një njoftim i kuq nga Interpol. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se kishte ngritur kompani fasadë që përdoreshin për të fshehur ngarkesat e drogës të transportuara me rrugë detare.
Hetimet tregojnë se organizata kishte vepruar të paktën që nga viti 2019 dhe kishte krijuar lidhje me grupe të armatosura në Kolumbi dhe organizata kriminale në Ekuador. Sipas autoriteteve, kokaina transportohej nga zonat kufitare drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro, ku përgatitej për t’u dërguar në Evropë.
Lënda narkotike fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme, si banane, kafe, produkte deti dhe dru. Destinacionet e dyshuara të ngarkesave ishin Holanda, Belgjika, Gjermania, Italia, Danimarka dhe Polonia.
Gjatë operacionit u arrestuan edhe 16 shtetas ekuadorianë, të cilët dyshohet se kishin role në transportin, magazinimin dhe sigurimin e aktivitetit të organizatës.
Autoritetet sekuestruan telefona celularë dhe pajisje elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve. Të gjithë të arrestuarit janë vënë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të aktivitetit të rrjetit kriminal.
Top Channel
Po ndodh...
ide
Të dyzetat e një sistemi antikombëtar!
Protesta nuk ka nevojë për tutorë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128