Koha nuk po teston më Protestën, por pushtetin dhe klasën politike!
Ka një përpjekje të vazhdueshme nga propaganda, për ta paraqitur kalimin e kohës si armën më të fortë të qeverisë. Kështu çdo ditë që kalon shpallet si një ditë më afër shuarjes së protestës dhe kjo, me logjikën e vjetër të analizimit të protestave me skemën e deritanishme.
Por kjo logjikë ka një problem të madh sot, sepse po injoron faktin se pas 40 ditëve masivitet dhe qëndrueshmëri protesta nuk ka nevojë të dëshmojë më asgjë. Sepse tani koha nuk po teston më protestuesit, por tani po teston mbi të gjitha pushtetin.
Kjo sepse kur një protestë vazhdon me të njëjtin masivitet dhe vendosmëri për dyzet ditë, ky është një lajm shumë i keq për qeverinë.
Sepse, dëshmon hapur pafuqinë e saj. Një qeveri normale, përballë një pakënaqësie kaq të gjatë ose do të kishte bindur qytetarët, ose do të kishte reflektuar dhe do të kishte korrigjuar kursin.
Kur nuk ndodh as njëra, as tjetra, do të thotë se tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, në fazën e krizës së autoritetit politik.
Ndaj çdo ditë që kalon dhe qytetarët vazhdojnë të jenë në shesh është një ditë që dëshmon krizën e thellë të autoritetit ku ka hyrë qeveria, pafuqinë e saj dhe faktin që ajo nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë krizën dhe të rikthejë besimin.
Me pak fjalë, ajo jo vetëm që nuk ia ka dalë ta shuajë protestën pavarësisht dhunës dhe presionit, por po dëshmon se strategjia dhe shpresa e saj e vetme është njerëzit të lodhen dhe më pas lodhja të bëjë punën e saj.
Por historia politike tregon se përballë protestave të tilla ai që lodhet është gjithmonë pushteti. Lodhet propaganda, konsumohen argumentet, bëhen të pabesueshme justifikimet dhe pikërisht në këtë moment fillon konsumimi i vërtetë i qeverisë.
Sepse, pas dyzet ditësh, protesta nuk ka më nevojë të provojë se ajo ekziston. Tani është qeveria ajo që duhet të shpjegojë pse ende pas dyzet ditësh, nuk ka gjetur një rrugë për ta zgjidhur krizën.
Për t'iu rikthyer edhe njëherë argumentit, koha jo vetëm nuk është gjithmonë aleate e pushtetit, por shpesh, ajo është gjykatësja më e ashpër e tij. Dhe kur një protestë vazhdon të sfidojë kohën, nuk është protesta që po dështon, është qeveria që po dështon të qeverisë!
Po ndodh...
ide
Të dyzetat e një sistemi antikombëtar!
Protesta nuk ka nevojë për tutorë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128