Qeveria shkurton fondet për fermerët, shton te Fondi i Zhvillimit rreth 80 mln euro
Qeveria ka reduktuar fondet e parashikuara për zhvillimin rural dhe mbështetjen e fermerëve, ndërkohë që ka shtuar me 7.5 miliardë lekë, ose rreth 75 milionë euro, buxhetin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Sipas të dhënave nga rishikimi i buxhetit, fondi për programin e zhvillimit rural dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral, agroindustrisë dhe marketingut është ulur me 113.7 milionë lekë gati 1,5 milionë euro.
Financimi i programit është reduktuar nga rreth 7.69 miliardë lekë, që ishte parashikuar në buxhetin fillestar, në rreth 7.58 miliardë lekë pas ndryshimeve. Në terma përqindjeje, shkurtimi arrin në 1.5%.
Programi përfshin politikat dhe masat që synojnë mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve, zhvillimin e industrisë agropërpunuese, rritjen e prodhimit vendas dhe përmirësimin e tregtimit të produkteve bujqësore.
Ndonëse ulja është relativisht e kufizuar në raport me fondin e përgjithshëm, ajo vjen në një periudhë kur disa nga treguesit kryesorë të bujqësisë dhe blegtorisë po shënojnë rënie.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, prodhimi i grurit ra me 10.1%, ai i patates me 7.2%, ndërsa prodhimi i pemëve frutore u tkurr me 12.8%. Prodhimi i ullinjve ra me 2.3%, ndërsa prodhimi në serra ishte 0.9% më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Dobësi janë shfaqur edhe në blegtori. Në vitin 2024, numri i deleve ra me 3.8%, numri i dhive me 2.2% dhe ai i derrave me 9.4%. Prodhimi i përgjithshëm i qumështit u reduktua me 2.7%, ndërsa prodhimi i mishit në peshë të gjallë ra me 3.8%.
Fondit Shqiptar të Zhvillimit i shtohen 7.5 miliardë lekë
Në të njëjtin rishikim buxhetor, financimi për Fondin Shqiptar të Zhvillimit është rritur ndjeshëm. Buxheti i institucionit është shtuar me 7.5 miliardë lekë, duke arritur në 32.3 miliardë lekë, nga rreth 24.8 miliardë lekë që ishte parashikuar fillimisht. Rritja përfaqëson një zgjerim me 30.2% të financimit total të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pjesa më e madhe e fondeve shtesë është përqendruar te zëri i përgjithshëm “Programe Zhvillimi”.
Financimi për këtë program është rritur me 5.5 miliardë lekë, duke kaluar nga rreth 14.9 miliardë lekë në 20.4 miliardë lekë. Krahasuar me buxhetin fillestar, rritja është 36.9%.
Vetëm programi “Programe Zhvillimi” përfiton rreth 73% të shtesës së përgjithshme të akorduar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ky është një zë i gjerë buxhetor, në të cilin mund të përfshihen projekte infrastrukturore dhe zhvillimore të zbatuara nga FSHZH-ja, si rehabilitimi i rrugëve, rikualifikimi urban, sistemimi i shesheve dhe hapësirave publike, si dhe investimet në zona me potencial turistik dhe ekonomik.
Financime shtesë janë dhënë edhe për programin “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale”. Buxheti i tij është rritur me 1.4 miliardë lekë, ose 18.9%, duke kaluar nga rreth 7.4 miliardë lekë në 8.8 miliardë lekë.
Ndërkohë, programi “100 Fshatrat” përfiton një shtesë prej 600 milionë lekësh. Fondi total për këtë program rritet nga 2.5 miliardë lekë në 3.1 miliardë lekë, ose me 24% krahasuar me planifikimin fillestar./ B.Hoxha, Monitor
Po ndodh...
ide
Të dyzetat e një sistemi antikombëtar!
Protesta nuk ka nevojë për tutorë
Protesta dhe Njeriu i Divanit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
