Bilanci nga zjarret/ 6 vatra ende aktive, nuk ka rrezik për banesat
Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e situatës së zjarreve në vend, duke njoftuar se deri në orën 20:00 të së hënës janë raportuar 26 vatra zjarri.
Sipas të dhënave zyrtare, 6 vatra vijojnë të jenë aktive, 6 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 14 janë shuar. Ministria thekson se situata paraqitet e përmirësuar dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë dhe 3 helikopterë.
Në Pukë, situata në zonën Tërbun–Gojan–Gjegjan është përmirësuar ndjeshëm. Zjarret janë shuar plotësisht në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes.
Në operacion janë përfshirë forcat e MZSH-së, shërbimi pyjor, strukturat vendore, vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, me ndërhyrje nga toka dhe ajri.
Në Gojdan të Fushë-Arrëzit vijon puna për izolimin dhe shuarjen e një vatre në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar strukturat vendore, MZSH-ja, Policia, vullnetarë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në Dajt disa vatra vijojnë të jenë aktive, në një terren të vështirë, por pa rrezikuar zonat e banuara. Gjatë ditës në këtë zonë janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 30 zjarrfikës, të mbështetur nga një helikopter.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Ballenjë dhe Qafën e Helmës në Dibër, si dhe në malin e Luzatit në Tepelenë. Ndërkohë, një sërë vatrash në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128