Trump kërcënon Iranin me sulme ndaj hidrocentraleve dhe urave

15 July 2026, 13:53 / BOTA ALFA PRESS

Trump kërcënon Iranin me sulme ndaj hidrocentraleve dhe urave

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi dje në mbrëmje se do të zgjerojë sulmet ndaj infrastrukturës civile të Iranit, duke paralajmëruar se në shënjestër do të jenë hidrocentralet dhe urat, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.

Në një intervistë për “Fox News”, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta godasin Iranin “shumë fort” gjatë netëve në vijim dhe paralajmëroi se javën e ardhshme do të sulmohen hidrocentralet dhe urat, nëse Irani nuk pranon të negociojë.

“Do të vazhdojnë derisa unë të them se mjafton”, tha Trump.

Trump bëri kërcënime të ngjashme edhe në prill, kur paralajmëroi se urat dhe hidrocentralet e Iranit mund të shkatërroheshin brenda pak orësh, me synimin për të ushtruar presion ndaj Teheranit, që të rihapte Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Ushtria amerikane njoftoi dje se kishte nisur një valë të re sulmesh ndaj Iranit dhe kishte rifilluar bllokadën detare të porteve dhe zonave bregdetare iraniane.

Sipas Uashingtonit, sulmet e fundit kishin për qëllim të pengonin sulmet iraniane ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), që mbikëqyr operacionet ushtarake në rajon, tha se vala e sulmeve përfundoi pas shtatë orësh.

Sipas saj, u goditën dhjetëra objektiva ushtarake, përfshirë pozicione raketash dhe sisteme të mbrojtjes ajrore pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në zonat bregdetare të Iranit. Sulme të ngjashme janë kryer edhe netët e mëparshme.

Ushtria amerikane akuzoi Iranin se gjatë javës së fundit, ka sulmuar qëllimisht shtatë anije tregtare.

Sipas saj, gati 12 anëtarë të ekuipazheve janë vrarë, plagosur ose rezultojnë të zhdukur.

Trump deklaroi javën e kaluar, se armëpushimi me Iranin, i cili ishte në fuqi që nga prilli dhe që ishte shkelur disa herë, kishte marrë fund dhe njoftoi sulme të tjera të mëdha kundër Republikës Islamike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.

Në mesin e qershorit, Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord për një marrëveshje kornizë, që synonte t’i jepte fund konfliktit dhe të hapte rrugën për negociata më të gjera, por bisedimet ngecën përpara përshkallëzimit të fundit. 

Po ndodh...

ide