A mund ta zëvendësojë makina njeriun?
Në një numër të madh të romaneve të tij, shkrimtari amerikan Isaac Asimov, na përshkruan shoqëritë futuriste (të së ardhmes), në të cilat robotët me sjellje thuajse njerëzore, jetojnë krahas njeriut, bile edhe pa të. Megjithëse ky këndvështrim mekanicist i së ardhmes mund të duket më se i ekzagjeruar, ai shtron problemin e zëvendësimit të Njeriut prej Makinës – deri ku një zëvendësim i tillë është i mundshëm? Dhe deri ku mund të bëhet ai?
Makinat, në kontekstin e prodhimit industrial, janë përkufizuar si “si tërësi agregatesh, të destinuara të marrin një formë energjie dhe ta transformojnë atë për të prodhuar një produkt të dhënë”. Është pikërisht për këtë, që në një vizion të parë, do ta konsiderojmë Njeriun si faktor prodhimi, përballë Makinës. Por bashkë ekzistenca e Makinës me Njeriun nuk mjaftohet vetëm në këtë kuadër ekonomik – Njeriu si qenie sociale gjendet vazhdimisht në konfrontim me Makinën, si do ta shohim më poshtë.
Njeriu faktor prodhimi përballë Makinës
Në shekuj, Njeriu ka përdorur teknika vazhdimisht e më të sofistikuara, që kanë pasur si qëllim kryesor zvogëlimin apo eliminimin e fuqisë fizike të tij, si burim energjie në procesin e prodhimit. Ky transformim i mënyrës të prodhimit është bërë në disa faza.
Përdorimi i makinave të thjeshta i ka lejuar njeriut që të kompensojë kufijtë e forcës të tij fizike. Kështu dihet që makina të tilla si plani i pjerrët, leva, makaraja etj. kanë lehtësuar përdorimin e forcës njerëzore por pa përfituar në energji. Këtë stad të njeriut mund ta quajmë “Epoka e sendeve” sepse qëllimi kryesor i aktivitetit njerëzor sillej rreth prodhimit të sendeve materiale.
Më vonë, pajisje më komplekse i kanë lejuar atij të kapërcejë plotësisht fuqinë fizike nëpërmjet përdorimit dhe kontrollit të energjive natyrore dhe pastaj artificiale. Kjo epokë filloi me anijet me vela ose me mullinjtë e erës, për të mbërritur tek motori me avull, që është edhe çelësi i Revolucionit industrial të shek.18-të. Kjo është ”Epoka e Energjisë”, ku gjithë përpjekjet njerëzore konsistonin në gjetjen dhe shfrytëzimin e burimeve të reja energjetike. Por në të gjitha rastet Mbikëqyrja dhe Kontrolli i punës së tyre mbeti monopol i Njeriut dhe vetëm i tij.
Kjo dukuri e mekanizimit të punës morri një kthese të re në vitet e pas luftës të dytë botërore me shfaqen e makinave të afta për të mbikëqyrur dhe kontrolluar punën e makinave të tjera. Filluam të hymë në “Epokën e Informacionit “, ku njohuria është baza e gjithçkaje.
Kjo tërësi teknikash të reja, shpesh të grupuara nën termin gjenerik “Automatizim“, implikon një zëvendësim të procesit mendor të njeriut prej sistemesh më të perfeksionuar, të afta p.sh “të korrigjojnë vetë gabimet apo pasaktësitë e tyre”. Për të sjellë një shembull: një kompleks makinash nuk ishte e nevojshme të ndalonin për tu riparuar, por kjo bëhej në punë e sipër, pa ndërhyrjen njerëzore nga një mekanizëm vetërregullues i këtij kompleksi. U bë i prekshëm realizimi spektakolar i uzinave pa punonjës apo i trenave pa makinistë. Kjo bëri një revolucion të tërë në realizimin e fitimeve të papara, duke zvogëluar kostot e prodhimit, por njëkohësisht ushtroi edhe një ndikim të madh në tregun e punës duke zëvendësuar fuqinë punëtore me makinat. Filloi të flitet që makinat po ia vjedhin punën njeriut. Megjithëse shembujt e zëvendësimit të punëtorëve me robotë nuk mungojnë, me kohë, këto zëvendësime të njeriut nga makina janë bërë faktorë progresi dhe gjeneratorë punësimi. Kështu në se standardi telefonik manual nuk do të ishte zëvendësuar nga standardi automatik, parku telefonik i sotëm do të kërkonte një armatë të tërë punonjësish, e përafërt me gjysmën e popullsisë të botës! Kështu, asnjë njeri, nuk mund të mohojë sot nevojën dhe dobinë e një mjeti të tillë të komunikimit. Efektet e vërteta të këtyre teknikave të reja janë më tepër në planin e sjelljes njerëzore, duke modifikuar mënyrën tonë të jetesës dhe duke ndryshuar krejt konceptin tonë për punën. Në fakt pasoja më madhore e automatizimit është “trurëzimi” në rritje i Punës, e lidhur me nevojën për të ditur të përdorim teknikat e reja të cilat na mundësojnë t’i largohemi sa më shumë kontaktit të drejtpërdrejtë me procesin e prodhimit. Po bëhet vazhdimisht dhe më e nevojshme të poseduarit e një sasie njohurish për të ditur të bësh diçka, njohuri që janë vazhdimisht në ndryshim të pandalë. Popullata aktive është e detyruar të përshtatet me këto teknika të reja si kompjuteri, celulari, IPad-i dhe programet e tyre respektive. Është e vërtetë që makinat sa vjen e u bënë më të lehta për tu përdorur, por në të njëjtën kohë, ato kryejnë detyra sa vjen e më komplekse, më të vështira për tu kuptuar. Ritmi me të cilin ndryshohen teknikat e reja është aq i shpejtë sa koha me të cilën adaptohesh për ta mësuar zhvlerësohet nga dalja e teknikave pasardhëse, kështu që njeriu është vazhdimisht në shkollë. Sistemi ynë edukativ duhet patjetër të evoluojë në mënyrë që të kapë ritmin e këtij ndryshimi, duke krijuar një mënyrë të re të të mësuarit. Përndryshe rrezikojmë të tejkalohemi nga ritmi i përparimit teknologjik dhe të bëhemi të paaftë të shfrytëzojmë këto shërbime të lidhura me këto teknologji të reja. Në se nuk bëhet kjo, një pjesë e konsiderueshme e popullatës aktive do të rrezikojë të gjendet “e përzënë” nga sistemi prodhues prej Makinave. / Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress
(vijon)
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
