Aksioni i FNSH në Krujë, sekuestrohen 855 fidanë kanabis në malin e Brretit

22 Maj 2023, 12:34 / AKTUALITET ALFA PRESS

Aksioni i FNSH në Krujë, sekuestrohen 855 fidanë kanabis në

Rreth 855 fidanë kanabis janë sekuestruar sot në malin e Brretit, Krujë nga aksioni i FNSH, Policisë së Krujës dhe ajo e Durrësit.

Blutë bëjnë me dije se bimët të cilat u zbuluan në kuadër të operacionit ‘Territor i pastër’ u sekuestruan ndërkohë nuk dihen se kush janë personat që kishin ambientet ku kultivoheshin bimët narkotike dhe kush kujdesej për ta.

“Si rezultat i kontrolleve, gjatë kësaj faze të operacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në zonën pyjore të malit të Brretit, u konstatuan 5 ambiente të hapura ku u gjetën të kultivuar gjithsej 855 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”- njofton policia.

Komisariati i Policisë Krujë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.