Banda e Cërrikut do rigjykohet në SPAK/ Ja 2 shkaqet që sollën prishjen e vendimeve nga Gjykata e Lartë për 9 të pandehurit

9 Qershor 2024, 09:24 / AKTUALITET ALFA PRESS

Banda e Cërrikut do rigjykohet në SPAK/ Ja 2 shkaqet që

Zbardhet vendimi prej 82 faqe i Gjykatës së Lartë që vendosi të rrëzojë dënimin dhe kthejë për rigjikim në Apelin e Posaçëm, dosjen penale kundër 9 të pandehurve që njihen në publik si banda e Cërrikut.

Bëhet fjalë për një nga dosjet më të bujshme të hetuara disa vite më parë nga dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Adnand Xholi dhe Anton Martini, të cilët urdhëruan 9 persona mes të cilëve dhe ish-kryetarin e Komitetit të Shpëtimit në Cërrik, Llazar Bicja.

Bicja, cilësohej nga hetimi i prokurorisë si njëri nga personat që 27 vite më parë, në muajin Maj 1997 kishte organizuar pritën e armatosur dhe vrasjen e 5 gardistëve Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Sali Martini, Petrit Ndoi si dhe plagosjen e disa efektivëve të tjerë.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se në këtë gjykim penal të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, kanë marë pjesë dy gjyqtarë të kolegjeve administrative dhe Civile, si Sokol Sadushi, i Kolegjit Administrativ dhe Ervin Pupe, anëtar i kolegjit Civil.

Kjo pasi të gjithë anëtarët e Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, janë konsumuar në gjykimin e rastit kur ushtronin funksionin e tyre si gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Sipas tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë Ilir Panda, Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe, shkaqet që krijuan prishjen e vendimit ishin vendimarja e gjyqtarit, Gurali Brahimllari, i cili ka marë vendim për caktim mase sigurimi në Gjykatën e Shkallës së Parë për të arrestuarin dhe të pandehurin, Skënder Çano.

Gjykata e Lartë, thotë se gjyqtari Brahimllari dhe pse ka marë vendimarje të mëparshme për të hetuarit e kësaj dosje, ka gjykuar çështjen më pas në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Nga ana tjetër Gjykata e Lartë, çmon se gjyqtari Gurali Brahimllari, ka qënë anëtar në Komisionin e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpuntorëve të Drejtësisë, duke pasur rol vendimarës dhe ka dhënë mendim-opinion për të penduarin e këtij procesi, Bujar Buzani.

“…gjyqtari Brahimllari, ka marë vendim për zgjatjen e afateve të masave mbrojtëse të vendosura ndaj Bujar Buzanit e familjarëve të tij, si dhe kërkesën e kësaj drejtorie për përfundimin e programit të mbrojtjes për këtë të pandehur, duke parashtruar papajtueshmërinë për shkak se është njohur dhe ka shfaqur mendim lidhur me objektin e procedimit, provat në lidhje me faktin penal dhe ka vlerësuar rëndësinë e dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë për zbardhjen e faktit penal në raport me kushtet për vazhdimin e programit të mbrojtjes për të dhe familjes së tij…”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Treshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, argumentojnë më tej se Gurali Brahimllari, ka patur detyrimin që në lidhje me çështjen konkrete të jepte dorëheqjen, për shkak se është njohur me faktin penal duke e çmuar atë në raport me marrëdhënien e krijuar mes organit procedues dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, deklarimet e të cilit kanë qenë pjesë e rëndësishme e vërtetimit të akuzës në ngarkim të të gjykuarve, duke e bërë pjesëmarrjen e këtij gjyqtari në rastin konkret, të paragjykuar.

Kolegji vlerëson se gjykimi nga një gjykatë e paanshme është një nga elementet e rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, i garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

 

 

 

 

Po ndodh...

ide