Doli i pafajshëm, por nuk do dalë nga qelia, akuzat e tjera që mbajnë në qeli Altin Ndocin

2 Prill 2024, 16:47 / AKTUALITET ALFA PRESS

Doli i pafajshëm, por nuk do dalë nga qelia, akuzat e tjera që

Altin Ndoci, njëri nga personat e arrestuar fillimisht nga prokuroria e Durrësit dhe më pas gjatë operacionit “Plumbi i artë”, ka marrë sot pafajësinë për akuzat e rënda të ngritura nga prokuroria e posaçme SPAK.

Prokuroria përgjatë këtyre 4 viteve u bazua në dëshminë e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Klevis Alla, duke ngritur akuzë për Altin Ndocin në vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.

Por të gjitha këto akuza ranë, për shkak se dhe vetë prokuroria u bind që pretendimet e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Klevis Alla nuk qëndronin për sa i përket pjesëmarrjes në krim të Altin Ndocit.

Vetë Alla rezultoi se kishte gënjyer dhe për pasojë humbi statusin e bashkëpuntorit, duke u dënuar me 25 vite burgim.

Mirëpo megjithëse Ndoci fitoi sot pafajësinë, ai nuk mund të dalë nga burgu, duke vijuar të qëndrojë në të njëjtën qeli me personat e tjerë.

Kjo pasi, prokurorët e SPAK kanë ngritur akuza të tjera kundër tij, ku këtë radhë nuk mbështeten tek bashkëpunëtori i Drejtësisë Klevis Alla, por tek bashkëpunëtori tjetër i Drejtësisë, Nuredin Dumani.

Ora News raporton se në një dosje tjetër, Altin Ndoci akuzohet nga SPAK dhe Nuredin Dumani si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Gjithashtu Ndoci, akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit).