Gjallë apo vdekur, ky është Vis Martinaj manjat i lotove dhe kapo i një organizate të frikshme!

Pak ditë më parë media e drejtuar nga Baton Haxhiu, këshilltar në hije i kryeministrit Edi Rama dhe posedues i informacionit të dorës së parë në institucionet e shtetit, dha lajmin e bujshëm se Ervis Martinaj është kapur i gjallë dhe pasi është torturuar është vrarë në mënyrën më makabre.
Duke ju referuar burimeve të besueshme brenda policisë dhe grupit që po heton zhdukjen e tij, “AlabaniaPost” dha edhe detaje si: trupi është copëtuar në 6 pjesë dhe bashkë me Martinaj është vrarë edhe një shok i tij.
Pas këtij lajmi policia dhe SPAK nuk bënë as përgënjeshtrim dhe as e pohuan lajmin. Kjo ka bërë që shumëkush ta besojë se pas një sage të gjatë me vrasje dhe ndjekje, armiqtë e shumtë të Ervis Martinajt më në fund kanë mundur që ta kapin dhe pasi e kanë torturuar, ta masakrojnë. Por ky krim që duket perfekt ende nuk mund të jetë zyrtarisht i konfirmuar, edhe pse në familjen e tij “po mbahet zi”, pasi ende nuk ka trup. Kur nuk ka trup nuk ka krim dhe autorë, të cilët mund të shpallen në kërkim.
Këtë vit Ervis Martinaj mbush 37 vjeç, por pavarësisht moshës së re, ai ka mundur që të shndërrohet shumë shpejt në një nga emrat më të mëdhenj të biznesit dhe paralelisht të botës së krimit.
I gjallë apo i vdekur, historia e “Vis Martinajt”, siç njihet në opinion, është e denjë për një film të pabesueshëm. Krim-biznes-lidhje me shtetin dhe policinë, rrëmbime, gjobë-vënie të mëdha ndaj oligarkëve, luftë e përgjakshme me organizatat rivale…
Ervis Martinaj mes krimit dhe biznesit, vrasja e Ervis Doçit
Emri i tij është lakuar me bujë për herë të parë në vitin 2013 sapo Rilindja kishte ardhur në pushtet dhe nisi operacionin “Fundi i Marrëzisë” kundra lojëra të fatit.
Në atë periudhë ai u denoncua për kërcënim me vdekje komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë, Engjëllush Avdulaj. Pas denoncimit, ai u shpall në kërkim, por shumë shpejt u rikthye në jetën e lirë aktive.
Kërcënimi është bërë pasi “papritur” Ervis Martinajt iu sekuestruan 400 makineri lojërash fati, të cilat sapo i kishte blerë nga konkurrenti i tij, Ervis Doçi. Mediat shkruan në atë kohë se ky ishte një “kurth” I madh financiarë, pasi Martinaj kishte marrë garanci se nuk do të prekej biznesi I lojëra të fatit.
Doçi përflitej si njeri i afërt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dyshohet se ishte vënë në dijeni para nisjes së operacionit “Fundi i Marrëzisë” dhe kështu i bëri një “gol” të madh Ervis Martinajt.
Në të njëjtën ditë që policia kreu operacionin masiv të makinave të lojrave të fatit në Tiranë, Ervis Doçit ju bë atentat në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”. Ai ndodhej në një automjet tip Mercedes Benz ML së bashku me një kushëri dhe gjatë ndalesës në semaforin e një kryqëzimi ju afruan dy persona të maskuar me skafandra hipur mbi motoçikletë.
Dy kushërinjtë mbetën të plagosur në këtë ngjarje dhe u shoqëruan menjëherë në Spitalin e Traumës, por shënjestra, Ervis Doçi, nuk ju mbijetoi dot plagëve dhe ndërroi jetë. Autorët e këtij ekzekutimi ende edhe sot e kësaj dite janë të paidentifikuar, por Martinaj mbeti gjithmonë një pistë e mundshme për policinë.
Por pavarësisht kësaj, Martinaj vazhdoi biznesin e madh me lotaritë sportive, duke u kthyer në mandatin më të madh në këtë fushë.Vetëm taksa në shtet kompanitë e tij paguanin dhjetëra milion euro. Aktivitetin e vazhdoi po aq fuqishëm në të zezë, edhe pasi kryeministri Rama i mbylli lotot sportive.
Vrasja e bujshme e bankierit Artan Santos
Një tjetër ekzekutim i bujshëm ku del sërish emri i Ervis Martinajt është vrasja e bankierit Artan Santo, ngjarje e ndodhur po në zonën e ish-bllokut dhe në mes të ditës në qershor të 2014. Emri i Martinajt u përmend kur gjatë një operacioni të policisë në magazinat e bizneseve të tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra motori të ngjashme me ato të dy autorëve që ekzekutuan bankierin Santo.
Edhe në këtë rast gjithçka mbeti në kuadër të dyshimeve dhe sërish as policia dhe as prokuroria nuk ishte në gjendje që të provonte përfshirjen e tij në këtë ekzekutim të bujshëm.
Një nga të dyshuarit e tjerë si autor i këtij atentati të bujshëm, Enver Stafuka, pak kohë pas ngjarjes u rrëmbye dhe që atëherë nuk është bërë më i gjallë. Pas kësaj zhdukje, Martinaj hyri në luftë edhe më grupin e Niklës dhe Fushë-Krujës nga ishte Stafuka. Ai akuzohej se ishte autor i eliminimit të Stafukës, pasi mund të kthehej në dëshmitarë kundër tij në vrasjen e bankierit Santo.
Vrasja e Enton Nikës dhe roli i Martinajt
Ervis Martinaj do të rikthehej sërish në qendër të kronikës së zezë, por këtë herë jo më si i dyshuar, por i përfshirë drejtpërdrejtë në vrasjen e Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në parkingun e një lokali në zonën e Linzës, e filmuar edhe nga kamerat e sigurisë.
Sipas asaj që u zbardh më vonë në procesin gjyqësor, mes viktimës dhe Ervis Doçit ka pasur një debat. Martinaj, thuhet në dosjen hetimore, gjatë qëndrimit në lokal ka dëgjuar Enton Nikën të flasë nën zë dhe ka kujtuar se e ka ofenduar.
Në këtë moment, ai e ka thërritur. “Djali, do vish një sekondë”, duke iu drejtuar të ndjerit. Dhe pasi kanë dalë tek parkingu i është prezantuar si Ervis Martinaj, duke i vënë edhe dorën në supe. “Qofsh me shëndet, por hiqe dorën se ta këpus”, thuhet nga prokuroria se i është përgjigjur Enton Nika.
Këtu ka nisur përleshja fizike mes tyre dhe në sherr e sipër, Emiljano Tasho, mik i Ervis Martinajt ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar për vdekje Enton Nikën. Tasho tha se e kishte qëlluar padashje Enton Nikën. Në këtë rast, Ervis Martinaj ia hodhi me një dënim minimal, që nuk do ta pengonte që të rikthehej sërish në qendër të medias në fillim të vitit 2017.
I përfshirë edhe në “Dosja Shullazi”
Këtë herë, emri i tij do të përfshihej në një dosje të bujshme, atë “Shullazi”. Biznesmeni Ylvi Beqaj, dëshmitari kyç në këtë proces dhe që ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, denoncoi në prokurori Ervis Martinajn si personi përmes të cilit Emiljano Shullazi i kishte çuar dy mesazhe për t’u tërhequr nga padia për ish-Hotel Vollgën në Durrës.
Beqaj ka deklaruar se fillimisht, Ervis Martinaj është munduar ta joshë përmes ofrimit të 7 milionë eurove, një milion në dorë dhe gjashtë të tjera pas tërheqjes nga padia. Kur dëshmitari ka refuzuar, atëherë Martinaj u është rikthyer metodave të veta, duke e kërcënuar me jetë.
Përplasja me klanin Duka
Një dosje e prokurorisë e publikuar rreth një vit më parë, nxjerr një panoramë të qartë se çfarë rreziku i kanoset këtij njeriu me kundërshtarët që ka. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin klani Duka, që e kanë ruajtur dhe ndjekur në mënyra të sofistikuara brenda dhe jashtë Shqipërisë për ta vrarë, por pa ia arritur qëllimit. Lufta me këtë organizatë nisi pasi sipas dëshmive që disponon prokuroria Ervis Martinaj ju mori peng vëllezërve Duka babanë për disa hesape të pambyllura. Pas lirimit Dukat e kthyen në qëllim të madh eliminimin me çdo kusht të Ervis Martinajt. Në dosjen hetimore që çoi në burg Ardjan Ahmetin, Dejvison Serjanin dhe të fejuarën e këtij të fundit, pasi akuzohen se krijuan kushte për eliminimin e Ervis Martinajt, flitet për një plan të detajuar për ta vrarë Martinajn në Stamboll. Gjithsesi në përpjekje për të eliminuar Martinajn, prokuroria dyshon se ky klan ka eliminuar disa prej njerëzve më të afërt të tij.
Përplasja me Endrit Doklen
“Nuk doja të vrisja Endrit Doklen. I mora lekët Ervis Martinajt dhe doja konflikt me të”.
Është kjo një nga frazat e shkëputura në dëshminë e gjatë që Nurdin Dumani ka dhënë përpara hetuesve të SPAK, në lidhje me pagesën që kishte marrë nga Ervis Martinaj për të vrarë Endrit Doklen.
Motivet se përse Ervis Martinaj e do të vrarë Endrit Doklen janë mister, por vrasja e Xhelal Reçit në Laç, xhaxhait të nuses së tij, dyshohet se ka lidhje pikërisht me këtë
Vrasja në Bllok
Ngjarja e bujshme në Bllok ku Martinaj u përfshi së bashku me grupin e tij në një luftë të vërtetë, u shit në publik se ndodhi për shkak të këngëtares së njohur Elvana Gjata. Por hetimet kanë treguar se në fakt bëhej fjalë për “një prishje pazari” mes Evis Martinajt dhe biznesmenit Ervin Mata.
Marviol Bilo punonte si truprojë i këngëtares Elvana Gjata dhe të dashurit të saj Mata, kur në lokalin “Solomon” ka hyrë Ervis Martinaj me disa shokë. I pari që dyshohet se ka nxjerrë armën ka qenë Fabiol Gaxha, por ai nuk ka qëlluar dot më shumë se një herë, pasi është goditur direkt nga Marviol Bilo me një plumb në kokë.
Mes 9 shkrepjeve, Marviol Bilo ka arritur që të qëllojë në kokë Fabiol Gaxhan dhe Erjon Haton. Ndërkohë, i plagosur mbeti Laert Hata dhe vetë Ervis Martinaj, të cilin një plumb e kapi në pjesën e qafës. Që atëherë, hakmarrja ka qenë në lojë nga të dyja palët./Alfapress.al
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
"Dënim paraprak për Belinda Ballukun", përgjigje për Baton Haxhiun
Teatri që fsheh prapaskenën
Vija e kuqe e Berishës dhe vija e zezë e demokracisë në PD
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128



